Ndershmëria e policëve rrugorë, “palosin” në burg viktimat e shkeljeve
Goditet një tjetër rast i mitdhënies ndaj policëve rrugorë. Anesti Mërkuri shofer taksie nga Saranda, është prangosur sot, pasi tentoi më kot të korruptonte policin rrugor në Gjirokastër. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme kur taksisti sarandiot, u ndalua nga patrulla policore në aksin rrugor nacional Tepelenë-Krahës në afërsi të ish fabrikës së fosforit. Ndalimi i taksisë së drejtuar nga Mërkuri prej forcave policore rrugore, u justifikua nga këta të fundit për parakalim të gabuar. Vetë Mërkuri i cili ka në pronësinë automjetin taksi tip Mercedez-Benz me targa AC482T, pasi kishte kuptuar shkeljen, nxori nga xhepi një shumë të hollash për të “gostitur” policin rrugor në këmbim të mos gjobitjes për shkeljen e konstatuar. Por reagimi i policit rrugor ka qenë i papritur për taksistin, aq sa e gjeti veten të prangosur. Kanë qenë specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, ata që arrestuan Mërkurin për veprën penale të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Disa ditë më parë, u shënua një rast i ngjashëm me një shofer në Gjirokstër, i cili edhe ai pësoi fatin e taksistit nga Saranda.