JOQ e akuzoi si të përfshirë në aferë me Postën Shqiptare, reagon Bejko: Të përgënjeshtrojnë lajmin ose takohemi në gjykatë!

Pak minuta mëparë portali JOQ Albania ka postuar një lajm ku deklaronte se drejtuesi politik i PD për Qarkun e Gjirokastrës z.Roland Bejko është i përfshirë në një aferë me Postën Shqiptare .

Statusi si mëposhtë:

Që me ikjen e Laert Durajt nga Posta Shqiptare dhe kalimit të pozicionist drejtues tek pasardhësi Ervin Bushati, “amanetet” po i zbatohen më së miri.

Kjo për faktin sepse tenderat i jepen po të njëjtëve klientë të besuar të Durajt, por me manovra të tjera sepse kanë dalë gafil se si e shkelin ligjin.

Një prej klientëve që ka përfituar shumat më të mëdha nga Posta Shqiptare është padyshim Nertil Lulo me kompaninë ELEKTROSEK.

Ju kujton gjë si emër? Atij ia kaloi kompaninë në zotërim si dhuratë me 100% të kuotave as më pak e as më shumë deputeti i Bashës, Roland Bejko e më pas Lulo për të hequr përgjegjësinë nga vetja ia kaloi Ilir Manes.

Roland Bejko është kreu i qarkut të Gjirokastrës (i cili u prit me të shara në protestën e 8 Janarit tek selia e PD) që e lidhin jo pak gjëra me pashain e Postës Laert Duraj i cili e ka shpërblyer ndër vite.

Pavarësisht se janë në kahe të kundërta politike, origjina është e vyer për shokët patriotë. Këtë ‘amanet’ Duraj ia ka pasuar kolegut të tij Bushatit i cili sigurohet që Bejko nëpërmjet zarave të tij si Nertil Lulo të përfitojë miliarda.

Por tani Nertil Lulo ka marrë një tjetër detyrë “puppet-i”, të marrë nën zotërim një tjetër kompani paralele me Elektrosek që përfiton tendera publikë në vlerë të frikshme.

Kjo kompani është ISS e cila së fundmi ka përfituar mbi 350 MLN LEKË PA TVSH NGA POSTA SHQIPTARE për mirëmbajtje sistemesh sigurimi. Kompania i ka përfituar milionat në shkelje me ligjin, për Mungesë konkurrence si operator i vetëm në garë.

Mbi 1.1 Miliard Lekë ka përfituar kjo kompani nga Posta për 3 tendera. Dyshime hidhen se Lulo kamuflon në kompaninë paralele po Bejkon që e futi në këtë valle.

Në gjithë këtë mes, diçka është e sigurt: Paratë e popullit bashkojnë të djathtë e të majtë, të gjitha të tjerat janë thjesht një shfaqje e ulët politike me aktorët më të mirë të parlamentit shqiptar.

I menjërshëm ka qenë reagimi i drejtuesit politik të PD për Qarkun Gjirokastër z.Roland Bejko i cili e ka përgënjeshtruar këtë lajm, i cili është i pabazë ndërsa personat e përmendur Bejko mohon se i njeh. Më tej Bejko shton se ky lajm është qartazi i qëllimshëm për të dëmtuar imazhin e tij. Ai i kërkon portalit të reagojë me përgënjeshtrim të lajmit dhe ndjesë publike në të kundërt çështja do ti kalojë gjykatës.

Reagimi si më poshtë:

Përgënjeshtrim

Të dashur miq, sapo lexova në portalin “JOQ” një shpifje të ndyrë në adresën time.

Ky portal më implikon mua në një aferë me Postën Shqiptare e përfaqësuar nga drejtori Ervin Bushati dhe një personi që quhet Nertil Lulo si përfaqësues i firmës ELEKTROSEK.

Deklaroj me përgjegjësi të plotë se z. Bushati nuk e njoh fare personalisht. Nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time.

Deklaroj se z. Nertil Lulo, nuk e njoh fare personalisht. Jo vetëm që nuk e kam takuar kurrë, po deri sa e lexova në këtë portal, as e kam pas idenë se egzistonte një person me këtë emër.

Nuk i di motivet se pse portali “JOQ” i ka lidhur këta persona me emrin tim, por nisur nga titulli mund të kuptoj qartë që kjo media duhet të jetë në shërbim të Mister “Non Grata” të cilët të mbytur nga dëshpërimi që demokratët i kanë braktisur, duan me çdo kusht të na implikojnë ne në afera të pista, në aleancë me Edi Ramën, sikur ne po ndajmë pushtet dhe para me të dhe bandën e tij.

Në këto kushte i kërkoj redaksisë së “JOQ” të bëjë urgjent përgënjeshtrimin e lajmit brenda një ore, dhe të më kërkojnë ndjesë publike për shpifjen e ulët që kanë bërë me qëllim për të dëmtuar imazhin tim në publik.

Ndryshe, takohemi në gjykatë!

Ju falenderoj të gjithëve për mirëkuptimin.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment