Dy persona janë vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Sektori Për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Arrestimi në flagrancë u bë ditën e djeshme nga blutë e Gjirokastrës, ndërsa në pranga kanë përfunduar shtetasit F.D 55 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Kondrabandë me mallra të tjerë” dhe E.H, 44 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Kondrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Shtetasi M.M, 59 vjeç, banues në Tiranë është shpallur në kërkim për veprën penale “Kondrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Materialet në ngarkim të tyre u kryen pasi nga verifikimi i kryer nga ana e policisë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije, janë konstatuar mallra të ndryshme pa dokumentacionin përkatës për shlyerjen e detyrimeve doganore.
Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Mbi tre shtetasit rëndojnë akuzat e përcaktuara në nenet 174 dhe 175 të Kodit Penal.
Neni 174 “Kontrabanda me mallra të tjerë” përcakton dënim me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet, ndërsa neni 175 që parashikon masat ndëshkuese për “Kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” parashikon dënim me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.