Fluksi i klandestinëve që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri ka vënë në lëvizje edhe trafikantët.
Policia Kufitare e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë një 26 vjeçar nga Berati që ka deklaruar se ka marrë shumën prej 100 euro në këmbim të shoqërimit të klandestinëve në brendësi të territorit shqiptar.
Sipas informacioneve zyrtare në vendin e quajtur ‘Piramida 28’ janë konstatuar 3 shtetas që vinin në këmbë nga Greqia për në Shqipëri.
Pas kapjes së tyre nga shërbimet e Kufirit rezultoi se dy shtetas ishin të huaj nga Algjeria dhe një ishte shtetas shqiptar.
Gjatë kontrollit personal shtetasit shqiptar, Armend Koroni, 26 vjeç, banues në Berat iu gjetën 130 euro.
Sipas deklarimeve të tij 100 euro ia kishin dhënë shtetasit e huaj, shumë e cila tashmë do t’I kushtojë disa herë më tepër.
Sipas ligjit, 26 vjeçari rrezikon të dënohet minimumi një vit dhe gjobë tre milionë lekë, ndërsa masa maksimale e dënimit varion nga katër në shtatë vjet dhe gjobë nga tre në tetë milion lekë.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.