Kakavije/Kapen 22 kg kanabis, trafikantët “zhduken” në errësirë

Afro 22 kg marijuanë, janë ndalur për t’u kaluar drejt Greqisë. Transportuesit e sasisë, janë zhdukur pa lënë gjurmë, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje tw tyre. Burimet policore, konfirmojnë se sasia e marijuanës, është zbuluar në orën 21:00 të ditës së djeshme nga Policia Kufitare, në vendin e quajtur “Diga e Liqenit”, në afërsi të fshatit Vrisera 1 km larg kufirit me Greqinë. Lëvizjet e dyshimta të tre personave që gjendeshin afër kufirit, kanë shtyrë policët kufitarë të viheshin në ndjekje të tyre. Kanë qenë kamerat termike ato që identifikuan vendndodhjen e trafikantëve të marijuanës të cilët kërkonin të kalonin drejt Greqisë, sasinë prej 22 kg përmes kufirit të gjelbër duke shfrytëzuar një hapësirë në fshatin Vrisera me drejtim në liqen, si dhe errësirën. Menjëherë shërbimet e policisë, janë vënë në ndjekje të trafikantëve të cilët kanë injoruar thirrjet e bluve për të ndaluar. Të gjendur në kushtet e panikut dhe shpëtimit prej arrestimit, tre trafikantët kanë braktisur çantat dhe janë larguar në drejtimin verior për në pyll, duke përfituar nga erresira. Në çanta është gjetur dhe më pas sekuestruar marijuana në cilësinë e provës materiale. Policia ndërkaq është vënë në ndjekje të tyre. Ky është rasti i pestë këtë vit që Policia Kufitare e Kakavijes, zbulon sasi narkotike e destinuar për Greqi. E ndërsa bilanci flet për sasira të pakta të sekuestruara nga ana e policëve kufitarë shqiptarë në Kakavije, homologët e tyre grekë vetëm këtë vit, kanë kapur mbi 3 ton kanabis të ardhur nga Kakavija shqiptare dhe kufiri i gjelbër shqiptar.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment