Droga nuk ka të ndalur në Përmet po ashtu as edhe poseduesit e saj. Policia e Përmetit, ka zbuluar 88 kg marijuanë në një automjet, i cili kishte për destinacion, zonën juglindore të Përmetit, ndërkohë që ka arrestuar poseduesit e saj të gjithë nga Piskova. Jurgen, Zhulien dhe Maldit Bezati 23, 27 dhe 24 vjec, si dhe Rei Cibuku 22 vjecar janë prangosur kur policia zbuloi sasinë narkotike në bordin e një automjeti pronë e Zhulien Bezatit.
Burimet policore, kanë konfirmuar se agjentët policorë, kishin dijeni për transportin e kanabisit në zonën juglindore të Përmetit dhe u vendos në lëvizje duke pagëzuar operacionin me emrin “Fundjava”.
Agjentët e Policisë Antinarkotike, kishin rënë në gjurmët e lëvizjes së sasisë narkotike në bordin e një automjeti dhe në fund, arritën t’a ndalojnë në rrugën nacionale Këlcyrë-Përmet në afërsi të kthesës për në zonën e Frashërit. Policia ka ndaluar mjetin me targa PR0759A me drejtues Zhulien Bezati ku zbuluan në bord 10 pako me kanabis të mbështjella me letër ngjitëse të tejdukshme.
Automjeti i mësipërm shoqërohej nga një tjetër mjet me targa AA848NC ku në bord ndodheshin Jurgen e Maldit Bezati, si dhe Rei Çibuku. Pas kësaj, të katërt të rinjtë u arrestuan. Ndaj tyre rëndon vepra penale e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Rasti i sotëm është i dyti brenda tre ditëve që Policia e Përmetit, zbulon sasi narkotike.
Tre ditë më parë një sasi prej 768 kg kanabis u gjet në një tynel në fshatin Piskovë ndërkohë që u arrestuan dy banorë të fshatit Gentijan Hysenji 36 vjec dhe Donald Nikollari.
Ndërkohë që në prill, në fshatin Pagri, u gjet sasia më e madhe e kanabisit në jug të vendit në një ish magazinë shtetërore me peshë 12 ton.