Kapet me kanabis në duar, SHKB në aksion për gjetjen e policit të korruptuar

Teksa po zhvendoste kanabisin nga banesa për t’a dërguar në drejtim të paditur, arrestohet. Ngjarja ka ndodhur sot në fshatin Xhaxhaj në verilindje të Tepelenës, kur 41 vjecari Spartak Caca, po përpiqej që të fshihte lëndën narkotike drejt një destinacioni tjetër.

Informacionet që kishin rrjedhë nga Policia e Tepelenës për të ndërmarrë një aksion të fshehtë me qëllim kapjen e lëndës narkotike në banesën e tij, bëri që Caca të ndërmerrte veprimin për zhvendosjen e lëndës narkotike prej 42 kg nga banesa e tij, drejt një lokacioni ende të pazbardhur.

Veprimi i tij është lënë përgjysmë teksa në banesë i’a behën forcat policore të Tepelenës, së bashku me ato antinarkotike të Gjirokastrës. Vetë 41 vjecari është shtangur qysh në momentin e parë të ardhjes së policisë ku dhe u kap në flagrancë me lëndën narkotike në duar. Ai nuk ka bërë asnjë lloj rezistence fizike ndaj uniformave blu por vetëm është mjaftuar me dorëzimin e lëndës narkotike, punonjësve të policisë.

Informacioni që kishte marrë policia për vendndodhjen e kanabisit në shtëpinë e Cacës, ka qenë i saktë ndërkohë që 41 vjecari, e mbante të fshehur kanabisin në plevicë për t’iu shmangur kontrolleve të mundshme policore. Ai është informuar për inspektimin e banesës së tij, para se forcat policore të mbërrinin.

Ndërkaq për këtë rast SHKB, do të ndërmarrë një kontroll tek punonjësit policorë të zonës për të identifikuar se cili ka qenë personi që ka informuar Spartak Cacën për të larguar kanabisin nga banesa pavarësisht se ky i fundit nuk i’a arriti. Dekonspirimi i aksioneve policore antikanabis në dy muajt e fundit, ka rritur shqetësimin në radhët e drejtuesve të Policisë Rajonale në Gjirokastër. Janë dhjetë raste kur aksionet e policisë, përfundojnë vetëm me sekuestron e lëndës narkotike, ndërkohë që poseduesit e tyre, kanë ikur nga vendngjarja, për të mos përmendur edhe dhjetëra aksione të dështuara antikanabis, që policia nuk i bën të ditura për publikun.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment