Kapet piromani i Bularatit, akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme, ja cili është

0
82

Vihet në pranga zjarrvënësi i Bularatit. Xhevahir Bregu 51 vjecar, është prangosur sot nga Policia e Gjirokastrës teksa dyshohet se është autori i zjarrvënies në fshatin Bularat ku një ditë më parë, u shkatërruan më shumë se 10 ha kullotë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 51 vjecari banor në Gjirokastër është bari në zonën e Dropullit dhe mendohet se ai është shkaktari i djegijes jo vetëm të 10 ha kullotë dje në Bularat, por edhe i hapësirave të tjera kullosore në fshatrat Zervat, Goricë, Terihat e Sofratikë ku në 20 ditët e fundit, janë shkretuar si pasojë e djegijeve të pamëshirshme. Policia ka prova të mjaftueshme të cilat do t’ia delegojë organit të akuzës që e lidhin 51 vjecarin me ngjarjet e një muaji më parë, në djegijen e dhjetëra ha të tërë kullotash dhe pyjesh në zonën jugperëndimore të Gjirokastrës përkatësisht në zonën e Dropullit. Mbi Bregun, rëndon vepra penale e shkatërrimit të pronës me zjarr. Mësohet se Bregu ka pranuar se ka vendosur zjarret në kullota por jo për qëllime shkatërrimtare, por për rigjenerimin e truallit që të jetë i shëndetshëm pas një viti për bagëtinë. Arrestimi i Bregut është i treti që ndodh në Gjirokastër brenda 2 muajve ndërkohë që dy piromanët e mëparshëm të arrestuar po për të njëjta motive, janë liruar me kusht. Zjarret në Gjirokastër në dy muajt e fundit, kanë shkaktuar djegijen e 112 ha kullota dhe 10 ha pyje ndërkohë që volumi i vatrave të zjarreve në krahasim me vitin e kaluar, është trefishuar.

Shkruaj nje koment