Ke të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit? Duhet t’i deklarosh deri në 30 prill

0
186

Janë 8201 individë, të cilët në vitin 2016 kanë deklaruar elektronikisht Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, pasi kishin të ardhura vjetore më të larta se 2 milionë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Tatimeve.

Në raport me vitin 2015 në vitin 2016 ka një rritje me 14.6% të individëve të cilët kanë vetëdeklaruar të ardhurat. Nisur nga kjo tendencë, tatimet presin që të ketë një shtim të numrit të individëve të cilët deklarojnë të ardhurat e tyre vjetore konform legjislacionit në fuqi. Afati i fundit për deklarimin e të ardhurave është 30 prilli.

Kushtet dhe afatet për deklarimin e të ardhurave 

Çdo individ, që përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në ligjin nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar që t’i deklarojë këto të ardhura,pranë administratës tatimore, sipas përcaktimeve, të mëposhtme :

Individët rezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.

Gjithashtu, Individët jorezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 000 000 (dy milionë) detyrohen të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave.

Të ardhurat, të cilat individët janë të detyruar t’i deklarojnë janë:

  • Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit të individit.
  • Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit.
  • Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit.
  • Të ardhurat bruto nga interesa bankarë.
  • Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
  • Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
  • Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
  • Fitimi kapital nga dhurimi.
  • Të ardhura bruto të realizuara jashtë, territorit të Republikës së Shqipërisë;
  • Të ardhura bruto të tjera, të cilat nuk janë listuar më lart.

Deklarata për të ardhurat e përftuara në vitin 2017, dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, në sistemin elektronik të tatimeve, jo më vonë se data 30 prill e vitit 2018.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here