Këpucaria zanati që po “shuhet” në Gjirokastër , të rinjtë të prirur drejt “modernes”

0
166

Shpesh herë modernia shihet si një kërcënim për tradicionalen. Zhvillimi i shoqërisë por edhe i teknologjisë ka sjellë prej kohësh shfaqjen e profesioneve të reja, ndërsa ka reduktuar të tjera që kanë ekzistuar në të kaluarën. Të qenurit zanatçi siç e thonë gjirokastritët, po bëhet çdo ditë e më shumë e rrallë. Mes shumë zanatesh, ai i këpucëbërësve po humbet me kalimin e kohës.
Dikur në qytetin e Gjirokastrës, kryesisht në zonën muzeale aty ku dhe lëvrohej jeta e tregtia, ndër punishtet e ndryshme të artizanëve që thurnin dhe tregtonin punimet e tyre, një vend të rëndësishëm zinin dhe këpucarët. Mjeshtrit e dikurshëm, zanatçinjtë e vjetër që pushtonin pazarin, dhe zhurma e makinës së qepjes dëgjohej kudo duke treguar prezencën e tyre. Burra të vjetër me duart e arta, ku pas tyre shkonin djelmoshat që kishin pasion apo ndjenin nevojën për të mësuar një zanat. I ndiqnin nga pas për të përfituar qoftë dhe diçka sado të vogël, një mësim që do u shërbente për të ardhmen. Por me kalimin e viteve, ky zanat po shkon drejt shuarjes.
Sot në qytet janë të paktë zanatçinjtë, të cilët vazhdojnë të merren me këtë punë ndërsa mosha e vuajtjet u lexohen në rrudhat e fytyrës. Por pavarësisht kësaj ata vazhdojnë të mos heqin dorë nga zanati. Ajo çka u mbetet peng, është fakti që nuk mund të lënë dot pas trashëgimtarë në këtë zanat, që ata i kushtuan pasionin dhe jetën.
Me zhurmën e makinës qepëse, teksa vazhdon punën me qetësi, artizani Harillaq Puci na pret me buzëqeshje. Në punishten e tij të vogël në qendër të qytetit të Gjirokastrës, ai na fton brenda për të parë nga afër krijimtarinë e tij por dhe punët e përditshme.
“ Jam me origjinë nga fshati Mashkullorë i Gjirokastrës. Por prej vitesh jetoj në qytet. Këtë zanat që unë kam edhe sot e kësaj dite e kam nisur që në vitet ’69-70. E kam nisur fëmijë i vogël, e kam pasur pasion, por dhe koha ishte e tillë që duhej të merrnim patjetër një zanat. Unë zgjodha këpucarin. Që në moshën 14-vjeçare, mësova në Urën e Kardhiqit më pas shkova sërish në fshatin tim në Mashkullorë. Nga fshati u shpërngula në qytet në Gjirokastër, në punëtori në Qafë të Pazarit, ku mësova nga profesionistët e asaj kohe, por dhe fillova ta ushtroja vetë zanatin. Jeta nuk më buzëqeshi në vendin tim, por pavarësisht kësaj dhe pse për disa vite jetova dhe punova si këpucar në shtetin grek, sërish u ktheva në vendin tim për të hapur një punishte të vogël me aq mundësi sa kisha”, tregon Harrillaqi .
Ndërsa flet për punën e tij ndër vite, Harrillaq Puci nuk harron të përmendë edhe kujtimet që ka me njerëz të njohur të politikës apo siç thotë ai, burra e zonja të shtetit që i besonin atij këpucët.
“Më ka mbetur në mendje, pasi atëherë këpucët bëheshin speciale, ua merrnim masën 4 herë dhe punonim gjatë për t’i realizuar. Ato këpucë sot nuk i shikoj më, të asaj cilësie nuk bëhet fjalë. Tek unë personalisht kanë ardhur njerëz të njohur siç ishte Adil Çarçani në kohën kur ishte sekretar partie, intelektualë të atij sistemi, veç tyre edhe zonjat që kërkonin me ëndje, si do tua realizoja këpucët që i vishnin më pas në festat e takimet e rëndësishme. Unë isha i ri në moshë, por prapë besim tek unë kishin”, rrëfen ai, ndërsa thekson se për aq kohë sa i mbijetoi viteve, kjo e bën një zanatçi të vërtetë.
“Dikur ne këpucarët ndaheshim në kategori, kishte mjeshtër ata që bënin këpucët më të mira, opingarët që i bënin me llastika, dhe ballomatarët ata të cilët vetëm riparonin gjëra të vogla. Personalisht unë vazhdoj t’i bëj të tria në bazë të kërkesave të klientit. Materialin e kemi vendas kryesisht, por marrim dhe nga jashtë kur na nevojitet për t’iu përshtatur kohës. Po të rrallë janë ata qytetarë që vijnë dhe kërkojnë këpucë me porosi, pasi dhe kushtojnë. Unë jam i gatshëm t’i bëjë të gjitha edhe pse vitet ikin e mosha bën të vetën”, tregon këpucari babaxhan.
Pengu i madh që e shoqëron artizanin është pamundësia për të lënë trashëgimtarë në këtë zanat.
“ Më vjen keq, e kam peng që të rinjtë nuk e duan këtë profesion. Unë kam një djalë, të rritur tashmë, por pavarësisht dëshirës time as ai nuk e trashëgoi. Dua shumë ta kthej këtë zanat ashtu siç ka qenë dikur. Sot në Gjirokastër nga 20 këpucarë që kanë qenë, gjen a s’gjen 3 të tillë të moshuar, brezi im. Ne jemi në prag pensioni kush do të na zëvendësojë? A do të ketë sërish këpucarë? Do doja shumë, dy apo tre djelmosha, pasi aq mundësi kam se jam i moshuar, t’i mësoja me kënaqësi që të vazhdonte ky zanat” , shpjegon i moshuari.
Por për të realizuar mësimin e të rinjve Puci thotë se dhe shteti duhet të ndërhyjë e të investojë më tepër për të nxitur të rinjtë t’i rikthehen këtij zanati.
“Shteti duhet t’i nxitë, të na krijojë mundësi neve si artizanë, një punishte pak më të madhe, të kem mundësi të mësoj disa të rinj. Nuk dua lekë unë dhe si unë besoj ka dhe të tjerë që kanë këtë dëshirë, të mësojmë dhe përgatitim brezin e ri me këtë zanat që po humbet dita ditës”, thotë me të drejtë ai.
Por si është të jetosh me një zanat si këpucaria. A ka të ardhura? Kur pyetet mbi këtë çështje Harrillaqi sqaron se nuk mund të bëhesh i pasur, duke punuar me dinjitet.
“ Dikur ka pasur më shumë punë, tani jemi në vështirësi megjithatë puna e dorës nuk të lë asnjëherë pa gjë”, thotë ai.
Por kriza nga Covid-19 që preku edhe vendin tonë, ka sjellë pasoja financiare edhe në biznesin e vogël të këpucarit. Me vështirësi, artizani na tregon se si kaloi dhe periudhën e izolimit nga Covid-19.
” Unë kisha kërkesa, më kontaktonin por nuk mund të punoja, pasi frika nga virusi qëndronte. 400 mijë lekë të vjetra nuk janë të mjaftueshme kur duhet të paguash qira e tatime. Siç i morëm shlyem detyrimet ndaj shtetit. Të paktën tani mund të punojmë më lirshëm dhe duke zbatuar rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Gjej rastin këtu të apeloj ndaj shtetit të ketë më shumë vëmendje ndaj artizanëve, jo vetëm për taksat, por dhe për të hapur punishte të denja, pasi ende kemi mundësi të punojmë e kontribuojmë”, përfundon ai , me dëshirën e mirë dhe shpresën se ky zanat nuk do të jetë thjesht zanat i së kaluarës, por edhe e ardhmja për brezat që do vijnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here