Këshilltari i CDU-së: Rama nuk solli zhvillim politik dhe ligjor, vetëm zgjedhjet e parakohshme janë rrugëdalje nga kriza

0
142

Këshilltari ekonomik i Grupit Parlamentar të Unionit Kristian-Demokrat (CDU), Martin Henze,  është shprehur në një intervistë të dhënë për të përditshmen “Panorama” se në 5 vjetët e fundit, qeveria nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, nuk ka arritur të sjellë zhvillim politik dhe ligjor në Shqipëri. “Përkundrazi, korrupsioni në nivele të frikshme, kriminaliteti, varfëria, shkalla e lartë e papunësisë, eksodi masiv i të rinjve nga Shqipëria, borxhi i lartë publik, projekte të papranueshme dhe qartësisht korruptive të PPP-ve, bëjnë të qartë se në 5 vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa pas”-  komenton Henze.

Sipas ligjvënësit gjerman, Shqipëria dhe mbarë rajoni janë përfshirë në një lëvizje etno-nacionaliste, e cila është në fakt një strategji e qëllimtë e qeverive për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e shumta dhe shqetësuese politike të vendit. Përsa i përket standarteve të sistemit demokratik në Shqipëri, këshilltari i kancelares Angela Merkel, është i mendimit se sistemi ligjor nuk është funksional, gjë që i pamundëson opozitës kontrollin e veprimtarisë së ekzekutivit apo të legjislativit, si edhe të drejtën për të apeluar vendime antikushtetuese. “Ekzekutivi është i korruptuar, sipas opinionit ndërkombëtar dhe jo vetëm. Shkeljet e mundshme të Kushtetutës shqiptare nga qeveria shqiptare nuk mund të korrigjohen nga asnjë gjykatë, një situatë e papranueshme për një vend demokratike. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë më shumë se një vit që nuk funksionojnë, pra, një kontroll i vendimeve të qeverisë dhe Parlamentit nuk mund të kryhet, opozita nuk ka asnjë mënyrë për të kontrolluar veprimet e qeverisë e të Parlamentit, apo vendime antikushtetuese, nuk ekziston asnjë mënyrë për të apeluar ose kërkuar të drejtën kushtetuese dhe kjo është tragjike”, qëmton Henze.

Ndërkaq, në optikën e këshilltarit të CDU-së zgjidhja e vetme për kapërcimin e këtij ngërçi institucional dhe të krizës aktuale politike, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, për të parandaluar në këtë mënyrë edhe largimin e Shqipërisë nga Perëndimi përmes shtrirjes potenciale të influencës së Rusisë dhe të Kinës. “Në një situatë që sistemi ligjor është jofunksional, dhe, si pasojë, dhe Parlamenti nuk mund të jetë funksionale, duhet me patjetër që të krijohen kushtet themelore për zgjedhje demokratike, të ketë garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike. Duhet një reformë e gjithëpranuar zgjedhore dhe të krijohen kushtet që këto ligje mund të verifikohen nga Gjykata Kushtetuese. Kjo i jep garanci të mjaftueshme qeverisë dhe opozitës. Por për të arritur këtë duhet një konsensus dhe një gjithëpërfshirje. Një format i mundshëm, me siguri, do të ishte një qeveri tranzitore. Propozimi i zotit Lulzim Basha, i cili, për më tepër, në Europë ka një reputacion të lartë, është goxha interesant dhe problemzgjidhës.”- ka përmbyllur intervistën e tij për “Panorama” këshilltari ekonomik i kristian-demokratëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here