
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, ka pritur në një takim, agjentin special të DEA.
Në njoftimin e dhënë nga ambasada e SHBA në Tiranë, thuhet se ambasadorja priti në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy.
Ambasadorja Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA-s në Shqipëri.
Agjenti Special Leddy së bashku me personelin shtesë të DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë të zbatimit të ligjit për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Në vijim bëhet e ditur se agjenti Special Leddy do të mbështesë më tej ndërtimin e aftësive në teknikat e hetimit kundër narkotikëve.