Komisioni Rregullator miraton ndryshime në rregulloren e KZAZ-së dhe udhëzimin për përzgjedhjen e komisionerëve

0
44

Komisioni Rregullator i KQZ-së në seancën e sotme publike miratoi me pesë vota pro një shtesë në rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor.

Në rregullore u shtua një pikë, e cila përcakton detyrimin e administratës së KQZ-së për t’u vënë në dispozicion të Komisionerit apo Nënkomisionerit, me kërkesë të tyre, dokumentacionin e plotë të paraqitur për çdo kandidat të propozuar nga partia politike apo për shtetasit që kanë shprehur interes për t’u emëruar kryesisht si anëtar apo sekretar të KZAZ-së.

Gjithashtu, Rregullatori miratoi disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 2, datë 5.12.2020 të Komisionit Rregullator, “Për caktimin e procedurave të përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht për plotësimin e vakancave në KZAZ dhe KQV”.

Vendimi përcakton heqjen e fjalëve “Zyra Rajonale Zgjedhore” duke qenë se, kjo strukturë nuk ekziston më, si edhe shton dy pika të reja në nenet përkatëse në lidhje me vënien në dispozicion të Komisionerit dhe Nënkomisionerit nga Administrata e KQZ-së, dokumentacionin e plotë të aplikuesve për tu emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së dhe KQV-së.

Këto ndryshime vijnë si nevojë për të adresuar më mirë kompetencat që Kodi Zgjedhor u njeh Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në lidhje me garantimin e së drejtës për të mbikëqyrur procesin e rekrutimit të zyrtarëve zgjedhorë.

Shkruaj nje koment