Komiteti i Ekspertëve: Masat nuk ndryshojnë, zbatojini dhe vaksinohuni

Pas shifrave të larta të të infektuarve në vendin tonë me Covid, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë paraditen e sotme në një konferencë për media.

Në fjalën e saj, shefja e ISHP-së, Albana Fico, deklaroi se ka pasur një rritje të rasteve të reja, ku mesatarja javore e rasteve ka shkuar në 482 nga 291 që ishte një javë më parë.

Sipas Ficos, masat nuk kanë ndryshuar, por duhen zbatuar ato që janë, si përdorimi i maskës, mbajtja e distancës dhe higjiena, ndërsa ka këmbëngulur që të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë muajin e hapur të vaksinimeve për të marrë atë.

Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 që ishin një javë më parë. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur nga 5573 në 5792, që çon në rritje të incidencës dyjavore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara. Sa i përket pozitivitetit të mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Raporti i infeksionit mes femrave dhe meshkujve mbetet 52 me 48. Raporti i fataliteteve është 1.8%. Grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë bashkitë me incidencën më të lartë.

Nga ana e saj Mira Rakacolli duke theksuar se rritja e infektimeve ka ardhur si pasojë e variantit Delta, nuk paralajmëroi masa të reja duke lënë në fuqi ato aktuale por duke u bërë thirrje qytetarëve për zbatim të tyre në mënyrë rigoroze dhe të vijohet me procesin e vaksinimit.

Në lidhje me sëmundjen, Komiteti vlerësoi indikatorë me qëllim përcaktimin e masave. Siç është vënë re ka një rritje të numrit të rasteve, në spitale. Arsyeja kryesore është prania e virusit Delta. Në vend ka vijuar pa ndërprerje vaksinimi. Në bazë të indikatorëve vendosëm të lëmë në fuqi masat aktuale, por në mënyrë që ato të zbatohen me rigorozitet dhe të vijohet me procesin e vaksinimit.

Nga ana e tij, Profesor Dhimitër Kraja ka informuar mbi situatën me shtrimet në spitalin COVID-1 pas shfaqjes së variantit delta në vendin tonë. Kraja thotë se sot ka 90 shtrime në spitale, nga të cilët 60% janë meshkuj, 55% mosha të treta dhe 30% forma të rënda. Ai garanton se spitali po funksionon me potencial maksimal për të shtruarit e infektuar.

Kjo gjendje epidemiologjike komunitare reflektohet edhe në rastet në spitale. Tani funksionin COVID-1, që ka pasur këtë ecuri statistikore që shtrohen, në korrik të këtij viti arritëm 1 raste 2 raste në ditë ose javë. Patëm ditë dhe javë ku nuk kishim jo vetëm vdekje por as raste shtrimesh të reja. Në korrik pasi u evidentua dhe varianti Delta, nga një rast kaluam në gusht në 24 raste, sot që flasim janë të shtruar 90 raste. 40% femra, 60% meshkujt. Grupmosha të ndryshme, 15% të reja, 25% të mesme, më shumë madje, 55% janë mosha të rritura e tretë, 8% mosha e katërt. Situata e tyre nga ana shëndetësore është e tillë që, 40% janë forma të mesme serioze ose me ndërlikim ose në subjekte që kanë probleme. Rreth 30% janë forma të rënda. Pjesa tjetër ndahet në problematike ose ndërlikime të rrezikshme kërcënuese.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment