`Koronavirusi` shqiptar!

0
195

Koronavirusi, me origjinë nga Kina, ka shqetësuar gjithë botën dhe po detyron deri në marrjen e masave ekstreme, si ndalime udhëtimesh, apo izolime pasagjerësh. Ky virus pritet të shkaktojë dëme të mëdha, për shumë ekonomi, të cilat përballen me humbje në turizëm, aviacion, tregti e deri në sektorin e argëtimit. Sidomos për Kinën, bllokun e dytë më të madh në zinxhirin ekonomik global, pasojat pritet të shkaktojnë ngadalësimin e prodhimit të brendshëm bruto, jo vetëm të tij, por të shumë hallkave të zinxhirit global. Shpërthimi i koronavirusit ka përkeqësuar dhimbjen e kokës së menaxherëve dhe politikë bërësve në një botë, që edhe pa të kishte shumë probleme e pengesa.

Sepse një virus, ashtu siç gërryen pak nga pak trupin e një të prekuri, ashtu e prek edhe ekonominë e një shteti apo dhe kombeve të tëra.

Ndërsa mund të gëzohemi me faktin se Shqipëria mund të jetë për momentin larg radarit të këtij mikrobi problematik, pak jemi shqetësuar gjithë këto vite për një tjetër virus që e kemi pasur gjithmonë mes nesh dhe nuk po arrijmë ta luftojmë. E kemi fjalën në mënyrë metaforike për “virusin e keq-qeverisjes”, që në këto dekadat e fundit na ka lënë gjithnjë të fundit në renditjet europiane e rajonale.

Vetëm pak ditë më parë, Transparency International e renditi Shqipërinë si më të korruptuarën në Europë, së bashku me fqinjin Maqedoni për 2019-n. Një përkeqësim prej 7 vendesh në raport me vitin e mëparshëm është një sinjal shqetësues se shumëkush nuk e ka frikë reformën në drejtësi. Për më tepër banorët e thjeshtë nuk besojnë se përpjekjet e shtyra përpara me shumë mundim nga faktori ndërkombëtar do të arrijnë të reduktojnë këtë virus endemik në Shqipëri. Një tjetër indeks i fundit i The Economist për nivelin e demokracisë, e rendiste Shqipërinë në treguesin e pjesëmarrjes politike, më të përkeqësuarin në Europë, me nivele të njëjta me shtete të tilla si Hondurasi, Butani, Guatemala, Haiti.

Një raport i mëparshëm i Bankës Botërore për ndërmarrjet, nxirrte në pah se 36% e bizneseve të anketuara kanë pohuar se kanë përjetuar të paktën një herë kërkesë për të dhënë ryshfet. Sërish edhe këtu është treguesi më i përkeqësuar në Europë dhe shumë më i lartë se vendet e tjera të rajonit (Bosnja, që është pas nesh e ka këtë tregues 16%).

Të dhënat krahasuese të Eurostat e nxjerrin Shqipërinë më të varfrën në rajon, me të ardhurat për frymë që janë vetëm sa 31% e mesatares europiane. Në këtë nivel kanë ngecur prej pothuajse një dekade, duke larguar gjithnjë e më shumë shpresat që vendi të arrijë mesataren e vendeve të zhvilluara (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që ky proces të zgjasë në 80 vjet, nga 20 që pritej më parë).

Lista e indikatorëve, që e rendisin Shqipërinë në fund, është aq e gjatë sa është kthyer në një normalitet, që nuk i bën më përshtypje njeriu.  Përmendim këtu  indeksin e zbatimit të ligjit, atë të kujdesit shëndetësor e shpenzimeve për shëndetësinë, pjesa më e madhe e treguesve të të Bërit Biznes të Bankës Botërore, të ardhurat buxhetore në raport me prodhimin e brendshëm bruto, që janë më të ulëtat në Europë, etj.

Pa dyshim, që Shqipëria në krahasim me vetveten është më mirë sesa ishte 30 vjet më parë. Por, që një vend me kaq shumë bukuri, pasuri natyrore aq të mëdha, njerëz vibrantë , trashëgimi historike e kulturore të vijojë dhe sot të jetë në fund të listës për gjithçka, kjo nuk është veçse për faj të një virusi të keq që ka mbërthyer qeverisjen në vite. Ndryshe nga SARS apo koronavirusit, që herët a vonë ia gjejnë antidotin, këtij mikrobit që po gërryen vendin nuk po ia gjejmë, apo nuk po marrim mundimin t’ia kërkojmë ilaçin.

Është e dukshme se shqiptarët nuk kanë besim as te politika e as te qeverisja dhe ndaj po zgjedhin rrugën më të shkurtër, atë të ikjes sa më larg. Dhe si për të amortizuar të qenit në listë gjithnjë të fundit, këtu jemi të parët. Sipas Eurostat, Shqipëria është e para në rajon për aplikimet për azil kërkues, madje dhe në botë, në rast se ky tregues llogaritet në raport me popullsinë. Por largimi nga virusi nuk është zgjidhja, pasi kjo nuk e dobëson aspak atë, përkundrazi. Gjetja e antidotit (lexo: reforma të thella qeverisëse) do të ishte kura afatgjatë për shërimin e këtij vendi të bekuar!

|Monitor|

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here