Kosova kërkon mbështetje për anëtarësim në BE

0
123

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar eurodeputetëve mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Këtë kërkese ai e bëri gjatë vizitës së 15 marsit në Parlamentin Evropian, ku u takua me përfaqësues nga dy grupime të PE-së në Strasbourg – grupin e deputetëve nga Partia Popullore Evropiane (EPP), që është edhe grupi më i madh politik, dhe grupin e të gjelbërve.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor, ndërsa në Këshill të Evropës në maj të vitit të kaluar.

“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e dhjetë të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.

Ai takoi edhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, me të cilin foli edhe për “finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave”.

Shkruaj nje koment