Kosova ndaloi dinarin, QUINT kërkon pezullimin e zbatimit të vendimit

0
35

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të “mundësuar nj

ë periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.

“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë.

Ambasadorët e QUINT-it thanë se rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, synon të reduktojë paratë e falsifikuara dhe të ruajë stabilitetin financiar, por po ashtu “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, u tha në deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania. Përfaqësuesit e këtyre shteteve u takuan më 26 janar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për këtë çështje.

Kurti, sipas njoftimit, gjatë këtij takimi kishte kërkuar nga ambasadorët e QUINT-it që të respektojnë vendimin e BQK-së.

“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Ditë më parë, Uashingtoni po ashtu kërkoi që Kosova të rishqyrtojë vendimin, që do të pamundësonte serbët që jetojnë në Kosovë të përdornin dinarin serb për të bërë transaksione me dinar. Radio Evropa e Lirë kontaktoi guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, lidhur me kërkesën e SHBA-së, por nuk mori ndonjë përgjigje.

Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka thënë se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Kundër këtij vendimi të BQK-së, që do të pamundësonte përdorimin e dinarit, ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Sipas këtij subjekti, vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovës./ REL