Kryeprokurori Çela raporton në Kuvend: Mbi 78 % e veprave penale i përkasin krimeve

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi sot në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020, duke sjellë shifra nga kallëzimet, procedimet, veprat penale më të shpeshta në Shqipëri, si dhe ndryshimin e tyre në krahasim me një vit më parë.

Në fjalën e tij, Çela tha se se viti i kaluar ishte mjaft i vështirë edhe për shkak të pandemisë e cila krijoi probleme edhe në funksionimin e Prokurorisë, me ndikim në uljen e performancës së prokurorive.

“Gjatë 2020 organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 58466 materiale kallëzimi, janë ndjekur gjithsej 44834 procedime penale nga të cilat 27890 janë procedime penale të regjistruara. Edhe në 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë me rreth 31.7% të procedimeve penale në shkallë vendi e ndjekur më pas nga Prokuroria Durrës dhe Elbasan”, tha ai,

Duke folur për raportin e ndarjes së veprave penale, Çela tha se rezulton se 78.24% e veprave penale i përkasin krimeve. Sipas strukturës së Kodit Penal në grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruar nga ana e prokurorisë evidentohet se vjedhja e pasurisë sërish përbënë numrin me të lartë me 31.2% të numrit të përgjithshëm të veprave penale, por një ulje me 10% në krahasim me një vit më parë.

“Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë 26.46 % të numrit të përgjithshëm dhe kanë një ulje rreth 4.8% krahasuar me 2019, në kohë që veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës përbëjnë rreth 6.28% me një ulje rreth 8.38% me një vit më parë. Veprat penale kundër fëmijëve, familjes zënë rreth 4.9% të numrit total të veprave penale dhe kanë një rritje 9.91% në krahasim me vitin 2019. Gjatë 2020 nga prokuroritë e shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10 mijë procedime penale me 11530 të pandehur”, tha Çela. 

Kryeprokurori Olsian Çela bëri me dije se për disa nga 28 kandidatët për deputetë që KQZ dërgoi në Prokurori për verifikim të thelluar para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, janë dërguar letërporosi në vendet në të cilat dyshohet se mund të kenë kryer shkelje.

Pasurimi i paligjshëm? Është sugjerim nëse mundet që të rregullohet legjislacioni. Ka nevojë për përshtatje që dispozitat të jenë efektive. Në Shqipëri niveli i informalitetit është i lartë. Për KQZ, ka nisur procesi dhe janë bërë verifikimet. Ka raste që duhen verifikime jashtë vendit. Jemi në pritje të përgjigjeve. Kur t’i kemi rezultatet e plota do t’ja dërgojmë KLGJ-së. Opinioni im për non grata; ndahet roli i prokurorit dhe komisionerit të zgjedhjeve. Prokuroria përdoret për grumbullimin e të dhënave. Të gjitha i drejtohen KQZ për të bërë vlerësimin. Vlerësimi iu përket juve për ta bërë. Konkursi i Shkollës së Magjistraturës nuk kemi pasur pretendime. Nëse ka elementë të tillë, atëherë kemi të bëjmë me një vepër penale. Mbetet për t’u vlerësuar në një drejtim tjetër, patjetër që do t’i marrim në konsideratë. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë kërkesë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment