KUJDES! KOVID-19 PO NA VËZHGON !

0
174

Nga Roland Bejko

A është kjo që po ndodh fillimi i një Rendi të Ri Botëror?

Ajo që Oruell kish parashkruar po ndodh: Një dorë, që kontrollon gjithçka, një sy, që vëzhgon gjithçka, një mendje, që dikton gjithçka. Në fakt është mendje, dorë, dhe sy global, që ka shkel butonin e telekomandës duke e futur gjithë botën në një karantinë, që izoloi dhe disiplinoi siç dhe vet miliarda njerëz, ndërpreu dhe dikton komunikimet, kontrollon rrjetet sociale, çorientoi bursat financiare, dëmtoi dhe falimentoi bizneset, ndërpreu argëtimet, zbuloi pafuqinë e shkencës, si të papregatitur për ti bërë ballë virusit dhe e nxori fuqinë e mendjes njerëzore krejt foshnjore, në mos para shoqërore, ku shpjegimin e fenomenit të virusit filluan ta bënin me një arsyetim primitiv, që për disa erdhi si një mallkim për mëkatet e mëdha të mënyrës së shthurur të jetesës që bëhet dhe për disa të tjerë si një konspiracion ushtarak që ka për qëllim seleksionimin natyror, ku pleqtë, të sëmurët, parazitët, të dobëtit që janë barrë dhe kosto financiare për shoqërinë, të cilət vetëm konsumojnë dhe nuk prodhojnë asgjë, do t’i japun lamtumirën kësaj bote, që nuk ka më nevojë për ta…

Në fakt për kaq ditë sa Covid-19 është në qarkullim duket sikur u tall dhe i banalizoi superfuqitë botërore, i nxori faqe botës, po aq të pafuqishme sa dhe vendet e dobëta e të pazhvlluara, për aq kohë sa masat e mbrojtjes ndaj Covid-19 janë të njëjta, pra karantinë, vetizolim, shmangie e kontakteve fizike dhe asnjë medikament mbrojtës dhe asgjësues ndaj virusit. Njerëzit infektohen e vdesin njësoj; si të pasurit dhe të varfërit, si politikanët e lartë dhe ata të parëndësishmit, si udhëheqësit botërorë dhe ata lokalë, si aktorët, sportistët e shquar botërorë dhe punëtorët e shërbimeve komunale, si i palestruari dhe i vobekti, dhe ndaj rriskut janë të gjithë njësoj, të ekspozuar njësoj, si Kim Kardashian, Paris Hilton etj….edhe komshia ime, të cilën nuk e njeh askush përtej pallatit. Covid -19 (Big Bratheri) ndau familjet.
Anëtarët e një trungu familjar, që jetojnë më vete ndalohen të takohen me frikën e infektimit të tjetrit dhe i dha mesazhin njeriut se je më i sigurt nëse jeton i vetëm dhe i izoluar, thjesht individ.
Të pasurve ua hoqi shansin e të pasurit superioritet ndaj të varfërve, në raport me virusin. Ke apo s’ke para, je i pasur apo i varfër, je qytetar apo fshatar, je shkencëtar apo fermer, ndaj rriskut të infektimit nga virusi të gjithë janë të ekspozuar njësoj dhe të gjithë mund të mbrohen me të njëjtën metodë, me vetizolim. I vetmi avantazh që ka i pasuri janë kushtet më të mira shtëpiake dhe ndoshta ushqimi më cilësor.
Të vetmit që i kanë rezistuar mos respektimit të këtij skenari bigbrathërist deri më tani janë britanikët, të cilët kanë pranuar se ekonomia është para njeriut dhe kontaminimi i tyre sot do shërbejë për krijimin e antitrupave mbrojtës për nesër në një rast tjetër eventual më të rëndë të një virusi të ri, që mund të shfaqet në të ardhmen e afërt dhe që u duk sikur u paralajmërua nga Macron në fjalën e tij publike para francezëve.
Nëse do pranojmë ta quajmë Bigbradhër atë që na vëzhgon dhe komandon globalisht me dorën e padukshme, po argëtohet mjaftueshëm veçanërisht duke parë qasjet e Italianëve ndaj panikut, që përhap kontaminimi. Në Italinë e Veriut,si qendra më e zhvilluar ekonomike, kulturore, me mirëqënie të lartë, njerëzit i ka kap paniku, frika, pasiguria. Ndërsa në Jug, pjesa më e pazhvilluar ekonomikisht e Italisë, më e varfra, por me njerëz të ngrohtë, hokatarë nga imazhet e qarkulluara në rrjetet sociale duket sikur po e sfidojnë virusin e tmerrshëm në një mënyrë tjetër, me aheng; jo se nuk i tremben, por janë mësuar me vuajtjet, me fatkeqësitë, me vështirësitë, me të keqen. Dhe një e keqe më shumë a një më pak, nuk është ndonjë gjë e re në jetën e tyre. Ndërsa në veri, qytetarët kanë humbur konfordin mirëqenien, po humbasin biznesin, po falimentojnë dhe i ka kapur pasiguria për të nesërmen, jo vetëm e jetës, por edhe e tregut. Bursat financiare u fundosën. Qarkullimi ajror, detar, dhe transportet e linjave të mëdha hekurudhore janë ndërprerë dhe mijëra qytetarë evropianë kanë mbetur të izoluar në aeroporte anë e mbanë botës pa mundur të kthehen dot në Evropë. Edhe USA shpalli regjimin mbrojtës. Vdekjet po shtohen në mënyrë të frkshme. Politikës duket se i ka dalë situata nga dora dhe pesha e fjalës ka rënë. Partitë kanë mbetur pa alternativa. Liderët e tyre bëjnë thjesht deklarata dhe reagime teknike. Të gjithë janë të diktuar nga situata, të pranojnë të vetmen alternativë që i bashkon, i bën të njëjtë, pa ideologji, por me një zgjidhje të përbashkët që është karantinimi i popullsisë për të frenuar sadopak masivizimin e shpejtë të virusit dhe njëfarë kujdesi socio-ekonomik. Qeveritë kanë vetëm një detyrë dhe një mision; ta kalojnë buxhetin në dispozicion të shpëtimit të jetës së qytetarëve duke ndihmuar sistemin spitalor dhe ekipet mjekësore të bëjnë punën e tyre.

Çfarë do të ndodhë pas këtij momenti? !
Rendi i Ri Botëror me shumë gjasa nuk do jetë më i njëjti, edhe pse pandemia duket sikur ka përfshirë kryesisht pjesën qëndrore dhe veriore të globit dhe fare pak ose aspak pjesën jugore pra Afrikën e nxehtë, të varfër dhe të sfilitur prej dekadash nga viruse të tjera si: SIDA, HIVI, MALAJRA, TUBERKULOZI, SIFILIZI, luftrat e shumta lokale etj. ..Thuhet se temperaturat e larta e vdesin mikrobin e virusit. Por kjo tezë rrëzohet po të kemi parasysh, që edhe Rusia e ftohtë ende nuk është përfshirë në hartën e prekur nga Covid- 19.

Kjo nuk është një situatë e paparashikuar më parë nga studiues dhe shkencëtarë të shumtë.

Në një libër të tij Zhak Atali, që titullohet “Një histori e shkurtër e së ardhmes” thotë se në 80- 100 vitet e ardhshme bota do kalojë me gjasë në një hiperkaus, dhe pastaj ndoshta në një hiperdemokraci, por më parë do instalohet një hiperdiktaturë me një qeveri të vetme globale, e cila do të menaxhojë kausin.
A është ky momenti i kësaj “profecie”?! Ndoshta. Ndoshta mund të jemi në një fazë të parë eksperimentale. Nga ajo që shikojmë dhe konstatojmë si fakt është ky: Covid-19 “tele komandoi” gjithçka, qeveritë, njerëzit, shkencën, teknologjinë e re, gjithçka,…gjithçka dhe me shkeljen e një butoni i disiplinoi jetët dhe aktivitetet e tyre, i karantinoi, u tha,: “Unë ju izoloj”, “Këtu ligjin e bëj unë”, ” Komandoj unë”, “Ju jetoni se dua unë, dhe vdisni kur të dua unë”, “Në këmbët e mia gjunjëzoheni të gjithë njësoj, që nga kryetarët e G-8, Bashkimit Evropian ( ka ngritur duart përpjetë) e deri te ai i Iranit, Koresë së Veriut, pa haruar këtu dhe kryetarin e përkohshëm të OSBE, liderin global të shqiptarëve që gjendet tashmë i izoluar në bukerin e tij në Surel i lumtur që i erdhi kjo ditë e disiplinimit dhe izolimit të të gjithëve nën komandën e tij”. ??
Po përtej shakasë me liderin global, edhe pse jemi në fillimin e dramës, përmasat e të cilës ende nuk i njohim, shumë pyetje dhe diskutime janë shtruar dhe qarkullojnë në mediat botërore. A është ky fundi i globalizmit, a do kthehemi të organizimi nacional i shtetit, apo do jetë një mënyrë e re e riorganizimit global , ku do komandohemi vetëm nga një dorë, nga një a dy qeveri globale? A mos është kjo një përplasje midis dy ideologjive, dy rrymave, që kanë filluar të përplasen ashpër vitet e fundit, njëra e udhëhequr nga presidenti Tramp dhe që është kthimi në një nacionalizim konservator të shoqërive për të qenë më të sigurta përballë rreziqeve eventuale për popujt që udhëheqin, dhe që mund të vijnë për shkak të politikave të qarkullimit global, kontrollet e mjaftueshme kufitare nga njëra anë dhe ideologjisë së shoqërive të hapura në kushtet e një globalizmi dhe multikulturalizmi pa fre, që përkrahen dhe financohen nga Xhorxh Soros?
U desh të binte koronavirusi që të merrej vesh se dhe shumëkombëshet e mëdha ishin të dobëta dhe të ekspozuara ndaj rriskut, po aq sa ndërmarrjet e tjera më të vogla.
Kur në Kinë u mbyllën fabrikat dhe uzinat industria e automobilave në Gjermani vuajti pasojat e humbjeve të mëdha ekonomike, si në Kinë për shkakun e thjeshtë se shumica e pjesëve të këmbimit për to, prodhoheshin në Kinë…

Mund të bëjmë aludime dhe konspiracione sa të duam. Por këto tema do marrin kuptim kur të shprehen peshat e rënda të kësaj fushe të tipit Kisinger, Hantigton, Fukujama, etj, etj.
Le të presim e të shikojmë çafarë do të bëhet. Detyra jonë tani është të ruhemi, mos të infekohemi nga Covid-19 dhe të kujdesemi të mos infektojmë të tjerët. Covid-19 na do të disiplinuar, të bindur, të nënshtruar.Kështu na do dhe pushteti. Ndryshe vdekja është aty, një hap larg. Një cifël pështyme. Covid -19 po na vëzhgon, kush devijon, e ha ! Por në fakt nëse do vazhdojmë të të qëndrojmë të izoluar një ditë rezervat do të sosen, marketet dhe dollapet e shtëpive do boshatisen. Kjo historia me koronavirusin nuk dihet sa zgjat. Por po vazhduam gjatë në izolim, kush do t’i prodhojë patatet, orizin, makaronat, bukën, kush do kujdeset për furnizimin me ujë të popullatës?!

Atëherë të uritur ne do zgjohemi dhe do hamë Covid-19 !

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here