Kujtimi i viktimave të Holokaustit dhe i viktimave të tragjedisë çame!

0
34

Nga Ina Zhupa.

Sot, më 27 janar kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit.

Është kjo një ditë jo vetëm përkujtimi e nderimi për viktimat e asaj zezone të 

pashembullt dhe kujtimin e jetëve të shuara të tyre, por edhe moment reflektimi për të gjitha viktimat e shtypjes e gjenocidit vetëm sepse ishin të ndryshëm nga tjetri në pushtet.

Ne si shqiptarë, në mbarë trojet tona, qysh nga veriu i Kosovës e deri në Konispol, jemi krenarë që pikërisht në orën më të zezë, ne iu gjendëm pranë popullit hebreas dhe shpëtuam me qindra e me mijëra pleq e plaka, burra, gra e fëmijë, të cilët mundën të vinin në Shqipëri.

Unë e kam për nder të vlerësoj trashëgiminë e lashtë hebrease në qytetin e Sarandës, që përfaqësohet nga Sinagoga e famshme, si dhe të përkujtoj komunitetin historik hebreas të Delvinës, e të çmoj kujtimin e familjeve shqiptare që shpëtuan hebreasit gjatë luftës.

Mirëpo viti 1944 shënoi një tragjedi të pashembullt edhe për vëllezërit e motrat tona në Çamëri. Terrori dhe dhuna e pashembullt zerviste nuk i kurseu banorët e pafajshëm të Paramithisë më 27 qershor 1944. Për të shpëtuar kokat, dhe me shpresën se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, mijëra çam kaluan kufirin shtetëror në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 dhe u ngulën përkohësisht në fushat përreth Sarandës dhe Delvinës.

Ne sot nderojmë edhe kujtimin e atyre qindra pleqve e plakave, grave e fëmijëve që nuk i qëndruan dot dimrit të egër të vitit 1944-1945, skamjes, sëmundjeve dhe vështirësive të tmerrshme të atyre ditëve, dhe që sot prehen në varrezat e Kllogjerit.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të Shoah!

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të tragjedisë çame!

Dokumenta nga arkiva amerikane për tragjedinë çame ku flitet për 25.000 familje refugjate dhe 10000 fëmijë.