Kurti: Çdo marrëveshje që do nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të Kosovës

0
69

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e fundvitit ka siguruar qytetarët e tij se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet në dialogun me Serbinë, do të jetë në të mirë të vendit.

“Kosova jonë është në prag të një të ardhmeje që është më afër asaj se çka e meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intensivisht”, ka deklaruar ai.

Kurti ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, ku tha se po i jepet fund pritjes shumëvjeçare të qytetarëve.

Kemi arritur në fund të një viti që, pa dyshim, ka lënë gjurmë në shtetin tonë.

Ky vit shënoi 25-vjetorin e një ndër kapitujve më të dhimbshëm në historinë tonë: krimet e kryera nga regjimi gjenocidal serb. Por, në anën tjetër, po këtë vit, festuam 15-vjetorin e pavarësisë sonë, të arritur me mund e sakrifica, si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe fuqisë së rezistencës së popullit tonë.

Pesëmbëdhjetë vjet mund të duken pak në historinë botërore, por për ne, këto vite përfaqësojnë tërësinë e ekzistencës sonë si shtet sovran. Jemi përballur me sprova të shumta, e megjithato, këtu po qëndrojmë, më të fortë se kurrë dhe të palëkundur në përkushtimin tonë drejt progresit dhe prosperitetit.

Rrugëtimi ynë ka pasur sfidat e veta. Ka momente kur duket që forca të jashtme po mundohen vazhdimisht të na destabilizojnë. Mirëpo, shteti ynë nuk është vetëm një copë toke; është rezultati i përbashkët i përpjekjeve, sakrificave dhe ëndrrave të popullit tonë. Shtetin tonë e kemi fituar me meritë dhe nuk e marrim si të mirëqenë. Pavarësisht nga forcat e jashtme, ne vazhdojmë të rritemi dhe zhvillohemi. 

Dua t’ju siguroj se kjo Qeveri, Qeveria juaj, e merr seriozisht besimin tuaj. Jemi të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë me të cilën jemi ngarkuar dhe jemi të vendosur që t’ju shërbejmë me devocion dhe integritet. Besimi juaj është forca lëvizëse prapa veprimeve tona dhe çdo ditë bëjmë maksimumin që të marrim vendime të cilat ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve tanë.

Kjo qeveri është garanci e moskorruptimit dhe është garanci e luftimit të korrupsionit

Shkruaj nje koment