Kurti takon liderët e KFOR-it dhe EULEX-it: Liria e lëvizjes duhet të rivendoset

0
106

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, “konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.

Disa barrikada janë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet nga autoritetet kosovare se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Në takimin e së hënës mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa për takimin njoftoi edhe KFOR-i në platformën Twitter.

Shkruaj nje koment