Kush e ka në dorë fatin e Edi Ramës?

0
168

Nga Red Varaku

Tashmë të gjithë e kuptojnë dhe pranojnë që e majta është në prag të një katastrofe si morale ashtu edhe elektorale. Rezultatet e sondazheve të publikuara tregojnë që diferenca ndërmjet mbështetjes për të dhe nevojës për ndryshim është kaq e thellë, sa për nga përmasat, ngjan si prag përmbysjeje dhe revolucioni.

Pra, kuptohet që populli kërkon jo thjesht një rotacion politik, por ai kërkon një përmbysje kapilare të këtij sistemi që prodhon vetëm hiena politike. Dhe doemos e para gjë që të shkon ndër mend është pyetja: pse kjo nevojë kaq madhe për ndryshim radikal dhe kush e ka në dorë për ta realizuar atë?

Për ata që kanë ndjekur me vëmendje dhe realizëm politikën shqiptare, sigurisht që përmasa radikale e ndryshimit që kërkohet nuk është një gjë e papritur.

Ka shumë arsye për këtë, por arsyeja e të gjitha arsyeve është qeverisja e superkorruptuar, e kriminalizuar dhe tejet arrogante e kësaj maxhorance, ku hajdutëria u kthye në një fenomen banal dhe nëpërkëmbja dhe fyerja e qytetarit të thjeshtë u kthye në normë. Edi Rama ndërtoi një regjim me fasadë demokratike, që në fakt është thjesht një bandë hajdutësh dhe plaçkitësish dhe një aparat represiv në kuptimin real të fjalës.

Veçanërisht kërcënimi dhe dhunimi i opozitës në parlament, arrestimi dhe burgisja evnjerëzve pa përkrahje dhe nxjerrja nga burgjet e eksponentëve më famëkeqë shqiptarë, me qëllim intimidimin dhe poshtërimin e qytetarëve, bënë që fryma e revoltës publike të shtohej dhe të akumulohej.

Nëpërmjet dy armëve më efikase të regjimit me tipare autoritariste të Ramës, propagandës nëpërmjet të cilës pikturonte një realitet imagjinar në sytë dhe mendjet e njerëzve dhe terrorit psikologjik që të rikujton terrorin që ushtronin shërbimet famëkeqe të fshehta gjatë regjimit, ai arriti ta fshihte këtë të vërtetë për një kohë të gjatë nga sytë e opinionit publik, por edhe nga sytë e socialistëve dhe ndërkombëtarëve.

Edhe pse opozita dhe një grusht njerëzish të medias vazhdimisht e kishin ngritur me zë të lartë këtë problematikë, shumë matrapazë, sahanlëpirës dhe frikacakë të medias i thurnin lavde ‘skenderbeut’ pas pagesave dhe favoreve të majme nga qeveria.

Menjëherë sapo mori pushtetin e dhuruar nga Ilir Meta, Rama instaloi një aparat të sofistikuar të komunikimit publik duke e shndërruar atë në institucionin më të rëndësishëm dhe më të paguar të qeverisë. Ai arriti të krijonte një realitet virtual, si një prestigjiator profesionist, që çuditërisht mashtroi vetëm përkohësisht shumë njerëz.

Për t’iu rikthyer pyetjes dë dytë se kush e ka në dorë këtë ndryshim radikal, mendoj që tashmë atë nuk e kanë më në dorë as ndërkombërarët dhe as Lulzim Basha. Atë e ka në dorë vetëm populli. Populli duhet që të thyejë frikën dhe të dalë në shesh edhe më të shumtë në numër se herën e fundit për t’i dhënë goditjen e fundit këtij sistemi të kalbur dhe të korruptuar.

Duhet të dalë për të kërkuar ndëshkimin ligjor të fajtorëve duke rihapur dosjet e mëdha të korrupsionit dhe krimit. Duhet të dalë për ta mundur përfundimisht këtë sistem, përfaqësues i të cilit është ky njeri, që për pushtetin e tij personal është gati ta çojë vendin në prag të përplasjes civile. Duhet të dalë për të protestuar kundër korrupsionit të llahtarshëm dhe varfërisë së skajshme të qytetarëve.

Duhet të dalë që të dënohen hajdutët e pasurive kombëtare në të gjitha nivelet, të gjithë ata që bënë rrush e kumbulla pasuritë e çmuara të nëntokës e mbitokës sonë, me koncesione dhe PPP të superkorruptuara, që janë akte të pastra zhvatje dhe hajdutërie.

Duhet të dalë për një administratë të pastër. Duhet të dalë për ta zhdukur këtë administratë me mentalitet horrash, ku qytetari trajtohet si shërbëtor kur në fakt duhet të ishte e kundërta. Duhet të dalë për një shtet ligjor si parakusht për një shoqëri të drejtë dhe njerëzore. Duhet të dalë për një drejtësi të pastër, të pakorruptuar. Duhet të dalë për të ndëshkuar ata që kanë shkelur ligjin.

Duhet të dalë për t’i thënë Edi Ramës që populli nuk e ha më sapunin për djathë, për t’i treguar Ramës që ka ikur ajo kohë kur mund t’i imponohej me dhunë jo vetëm opozitës, por shumicës së shqiptarëve, që për hir të vërtetës nuk e kanë votuar asnjëherë si kryeministër. Duhet të dalë për të asgjësuar plotësisht rilindjen dhe ata që mbartin virusin e saj në mënyrë që asnjëherë tjetër të mos përfundojë nën thundrën e klaneve të tilla kriminale.

Vetëm pasi populli të derdhet rrugëve edhe më i madh në numër, ashtu siç në fakt edhe po ndodh, Edi Rama dhe jo vetëm, do të detyrohet t’i thirrë mendjes dhe ta pranojë realitetin dhe nevojën për ndryshim radikal të sistemit me hir ose pahir. Por, për ta pranuar këtë nuk mjafton vetëm vullneti politik, por duhet edhe lartësia morale e një burri shteti. Edi Rama me ç’po duket nuk e mishëron lartësinë morale të një burri të vërtetë shteti dhe është gati që për hir të pushtetit ta çojë vendin drejt përplasjes civile. Por, nëse nuk i pranon, atëherë ai jo vetëm që i ka orët dhe minutat e numëruara, por rrezikon të përfundojë në kazanin ku hidhen vetëm plehrat e historisë shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here