Kush po i “fryn” ringjalljes së retorikës së nacional-socializmit enverist?

0
55

Nga Red Varaku

Ky “patriotizmi folklorik” shqiptar që i konsideron “fuqitë e mëdha” si SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania si armike të interesave tona kombëtare, përveç se prodhon remineshenca të regjimit komunist, është pa diskutim dëmi më i madh që mund t’i bëhet aktualisht interesave tona kombëtare.

Ky qëndrim kundër “fuqive” që garantojnë sovranitetin territorial dhe interesat tona ekonomike, nuk është gjë tjetër vetëm se rigjallërim i tezave trushpëlarëse të nacional shovinizmit enverist shqiptar, që e kishte sponsorizimin dhe frymëzimin nga Jugosllavia alias Rusia, e cila kishte dhe ka si kryeobjektiv mbajtjen e shqiptarëve sa më larg Perëndimit.

Kjo e fundit ka pasur dhe ka gjithmonë interes ta mbajë Shqipërinë dhe Kosovën të izoluar, sa më larg Perëndimit, madje në konflikt me Perëndimin, sidomos tani në kontekstin e ri gjeopolitik të krijuar pas agresionit rus mbi Ukrainën dhe pas ambicieve tashmë të shpallura të Vladimir Putin, ku interesi më i madh strategjik i Rusisë është bllokimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Kjo sepse një Shqipëri-Kosovë e izoluar nga Perëndimi ose në konflikt me Perëndimin, është një Shqipëri-Kosovë e leshtë dhe e lehtë për tu vendosur nën thundrën e interesave ruse dhe për tu përdorur si mish për top në pazarin e ri botëror.

Kjo është arsyeja se pse Perëndimi ka ndërmarrë një ofensivë për ndarjen e rajonit nga sfera e influencës ruse, ku prioritet ka marrë shpejtimi i proceseve të integrimit dhe arritja e një marrëveshje perfundimtare Kosovë-Serbi, që do të përfundojë me njohje reciproke.

Kjo është edhe arsyeja pse Presidentja e Kosovës znj. Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti ndodhen aktualisht në Washington në një vizitë zyrtare, ku fokusi do të jetë thellimi i partneritetit strategjik me SHBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë si dhe fuqizimi i pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave, delegacioni shqiptar pritet që të firmosë një marrëveshje ekonomike të jashtëzakonshme me SHBA si dhe pritet të vendosen dhe piketat për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që do të shërojë përfundimisht një nga plagët që po e mban në agoni këtë rajon prej vitesh .

Në këtë kuptim është e qartë se kush po kërkon stabilitetin e rajonit dhe kthimin e tij në një rajon ku prevalon demokracia dhe sundon ligji, ashtu siç është e qartë dhe se kush po kërkon destabilitetin dhe mbajtjen e rajonit larg Perëndimit dhe peng të konflikteve që prodhoi copëtimi i ish-Jugosllavisë në 1990.

Shkruaj nje koment