Kushi: Më 1 shtator nxënësit në shkollë për konsultime, ja si do paguhen mësuesit për orët shtesë

Më 1 shtator nxënësit e arsimimit parauniversitar do të ulen në bankat e shkollës për të ndjekur konsultimet dy javore për përsëritje, përforcim dhe përmirësim të njohurive të tyre nga viti i kaluar shkollor.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shkruar në një status në rrjetet sociale se temat janë përzgjedhur në varësi të nevojave për çdo shkollë ndërsa ka theksuar se nxënësit janë të lirë t’i ndjekin sipas nevojave. Nga ana tjetër mësuesit do të paguhen për orët shtesë.

Njoftimi

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Pas një konsultimi me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, me mësues, prindër, si dhe ekspertë të arsimit, dua t’ju informoj se sapo kemi miratuar Udhëzuesin e hartuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) “Për përmirësimin e arritjeve të nxënësve si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19″. Qëllimi i tij është që t’i mundësojë nxënësve për një periudhë dyjavore në fillim të muajit shtator 2021 të përsërisin, përforcojnë apo përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor.

Përsa u takon temave që do të zhvillohen, ato do të jenë në formën e konsultimeve dhe në varësi të nevojave të identifikuara për çdo shkollë. Në këtë kuadër, nxënësit janë të lirë t’i ndjekin sipas nevojave të tyre, ndërsa prindërit janë të lutur të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të këtij procesi.

Duke vlerësuar maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e tyre përgjatë një viti të vështirë, mësuesit që do të zhvillojnë temat e përsëritjes gjatë kësaj periudhe do të paguhen me orë shtesë. Ndërkohë, me qëllim zhvillimin e një procesi sa më optimal, kërkojmë nga organet e vetëqeverisjes vendore që të marrin masat e duhura në mënyrë që infrastruktura e shkollave të jetë gati për datën 1 shtator 2021.

Për më shumë informacion të detajuar në lidhje me këtë proces, në linqet e mëposhtme mund të gjeni udhëzuesin e plotë për çdo cikël të sistemit parauniversitar. Shumë suksese e mbarësi!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment