Kuvendi çel sot sesionin e katërt parlamentar

0
26

Kuvendi i Shqipërisë do të çelë zyrtarisht sesionin e katërt parlamentar pasditen e sotme, me një seancë ceremoniale, e cila pritet të fillojë në orën 16:00.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, si edhe krerët e grupeve parlamentare, pritet të mbajnë fjalët e rastit, por debati mes palëve, nuk do të mungojë në seancën hapëse, lidhur me situatën politike dhe ekonomike në vend.

Në këtë sesion pritet të hapet procedura për avokatin e popullit, proces të cilin palët politik nuk e përfunduan në fund të vitit të kaluar.

Ndalimi i spiunëve në funksionet publike është një tjetër pikë që pritet të shqyrtohet, çështje e cila i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Dy nisma të tjera që janë artikuluar në publik nga qeveria janë amnistia fiskale dhe pasaportat e arta. Të dyja janë kundërshtuar nga organizmat ndërkombëtar, por shumica socialiste shprehet e vendosur për t’u dhënë jetë të dyja iniciativave.

Parlamenti pritet të shqyrtojë edhe ligjin për dekoratat, të kthyer dy ditë më parë nga presidenti Begaj.

Në këtë sesion të ri parlamentar pritet të mos mungojnë as debatet mes të dyja kaheve, pak muaj përpara garës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Ndryshime rrënjësore do të hasen që në rreshtimet e partive në këtë sesion të katërt, ku mazhoranca e gjen veten me një deputet më shumë, pas kalimit të Agron Çelës nga Partia e Lirisë në Partinë Socialiste, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, me zyrtarizimin e tij për këtë kalim në janar.

Kështu, kampi opozitar, ende i përçarë, do ta gjejë veten jo vetëm me Çelën, si një deputet më pak, por edhe me një tjetër mungesë, pasi Petrit Doda, i zgjedhur nën logon e Partisë Demokratike dhe zëvendësues i ish-kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Alfred Rushaj, ka bërë me dije se do të regjistrohet si i pavarur në Parlament.

Kështu do të jenë edhe katër emra të sapo-përjashtuar nga grupi demokrat, me vendim nga kreu i këtij grupacioni, Enkelejd Alibeaj.

Shkruaj nje koment