Lakuriq nate? Ku kemi mbërrit

Nga Artan Fuga /

Një lakuriq i vetëm nate mund (mundet) të vrasi qindra mijë njerëz, të përkuli superfuqitë, të mbylli njerëzit e Globit me javë të tëra në shtëpi, vila, bodrume, kasolle, të vejë në dyshim shkencën, teknikën, ta kthejë botën shekuj pas, të rrënojë ekonominë, të shkaktojë luftra sepse kriza diplomatike po se po, të rrëzojë qeveri, të bllokojë avionë, bombardues, aeroplanmbajtëse, të mbylli plazhet, të lejë rehat krillat, peshqit, macet nga njerëzit…

Një lakuriq nate! Si thoshte ai filozofi që e lexonim se mos ishte delirant, që edhe një e rrahur flatrash e një fluture diku andej larg shkakton pasoja në të gjithë Globin!

Ka një gjë që nuk shkon këtu! Ka një defekt kjo bota jonë! Na mundi një lakuriq i vetëm nate o njerëz! Nesër një krimb, një merimangë! Uleni kokën!

Shoh Qenan K. te birraria e lagjes duke ngrit gotën e fut hundën në të dhe them : Kushedi çfarë pasojash mund të sjelli mbi botën vetëm ajo gllënjkë birre që zhytet në gurmazin e Qenanit!

Si i tha Zoti atij supermanit?

Të gjitha qeniet e gjalla ja ku i ke!

Vendosi emrat!

Pra do t’i sundosh! Noc Rrokun! Ose supermani është squll! Ose i ka ikur pushteti nga duart! Ose ka marrë kot dhe i trajton lakuriqët, dhitë, macet, qentë sikur t’i kishte shokë! Ose Zoti ka ndërruar mendje! Me të gjitha budalliqet që bën supermani, mund të ketë thënë : Ik tani, botën në miliona vitet e ardhëshme do ta sundojë dhe drejtojë lakuriqi i natës! Por, me siguri ata që parashikojnë me saktësi se kur do të përfundojë epidemia në Shqipëri, që po prodhojnë vaksinën aty afër monumentit të themeluesit të Tiranës në një qyp balte, besoj se duhet t’a kuptojnë këtë!

Hë mo parashikuesa mashtruesa! Kush do ta drejtojë botën miliona vitet e ardhëshme! Ne nuk shpjegojmë kush na shkatërroi brenda një sekonde, duam të shpjegojmë si u bë majmuni njeri, si ndodhi Bing Bangu, si lindi jeta mbi Tokë!

Iku o ha përshesh se të bën mirë ! Mashtrues!

E mo, i pështyn lakuriqi natës një kinezi në supë, katër muaj të njerëzimit shkojnë kot!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment