Lazarati, përsëri “non grata” nga SHBA / Reagon Roland Bejko

0
305

Në një travel advisory (këshilluese udhëtimi) të Ambasadës Amerikane referuar nënshtetasve me banim në Shqipëri apo të tjerë që duan ta vizitojnë vendin tonë, u bënë thirrje të mos shkojnë në Lazarat . Situata e krimit apo kultivimit të lëndëve narkotike në këtë zonë mbetet e paqëndrueshme ndërsa policia lokale ka mundësi të kufizuara për të mbrojtur e ndihmuar udhëtarët”-thuhet në njoftim. Gjithashtu për shkak të Covid 19 dhe situatës së krimit Ambasada këmbëngul që shtetasit e saj të rishikojnë çdo udhëtim të mundshëm në vendin tonë.
Nisur nga ky njoftim i Ambasadës Amerikane e cila duket sikur po shpall sërish “non grata” Lazaratin ka reaguar me anë të një statusi në FB edhe Roland Bejko .I cili e ka konsideruar këtë njoftim të pabazë dhe një njollë turpi si akt moral për banorët e këtij fshati.

Statusi si mëposhtë:

Attention please! (Vëmendje ju lutem)

Një miku im publicist me famë të madhe në media, që ka nënshtetësi amerikane , më shkroi pak më parë dhe më pyeti se kur mund do shkojmë në Lazarat?
Dhe bashkanjitur më dërgoi një shkrim të portalit Politiko.al
E lexova.
Ambasada Amerikane në Tiranë e ka klasifikuar Lazaratin si zonë me rrezik të lartë për jetën e shtetasve të vet tani në situatën e Covid 19. Ndërsa Shqipëria është klasifikuar në shkallën e tretë, Lazarati është renditur në shkallën e dytë. Pra me risk më të lartë pasigurie se gjithë të tjerët (?!)
E para gjë që mendova ishte fakti se nëse dikush në Lazarat do kishte guxuar të merrej me zhvillimin e turizmit familjar pas ngjarjeve të 2014, (kohë kur u krye operacioni i shumëdiskutuar policor për luftën ndaj kultivimit të kanabisit), sot me siguri do kishte falimentuar jo thjesht për shkak të Covidit 19, jo thjesht për mungesën e stategjisë së Qeverisë ndaj këtij sektori dhe taksave të shumta që duhen paguar, por edhe për shkak se ambasada e SHBA-së në Tiranë vazhdon tu bëjë thirrje shtetasve të vetë të shmangin çdo lloj vizite në atë zonë për shkak të pasigurisë për jetën. (Në fakt, popullsi më pro amerikane se ata të atyshmit, unë nuk kam gjetur kund! )
Me aq sa di unë, në Lazarat nuk ka ndonjë problem për rendin dhe sigurinë publike. Nuk ka as të infektuar me covid 19. Për mbjellje kanabisi as që bëhet fjalë.
A ka probleme të tjera në atë fshat?
Natyrisht, shumë, por janë probleme ekonomike: papunësi e madhe, largime masive të rinisë jashtë shtetit, mungesë të politikave të zhvillimit nga ana e qeverisë dhe pushtetit vendor, dhe si gjithonë një diskriminim verbal i përhershëm që s’përbën më lajm për askënd.
Megjithatë, në rast se Ambasada di diçka që vërtet mund të rrezikojë nga aty jetën e shtetasve amerikanë, do të thotë se është e rrezikuar jeta e çdo shtetasi a qytetari nga kudo qoftë ai, madie edhe vet jeta e banorëve vendas.
Atëherë, me këtë rast rrëzohen vetvetiu të gjitha fjalët e mira që vet Ambasada ka thënë për policinë e shtetit se me demek ajo na qenka tani kontrolluesja e gjithë territorit të vendit. ( Ndërkohë raportet e përvitshme të Departamenti Amerikan të Shtetit thonë se është mafia e drogës ajo që kontrollon pjesë të caktuara të territorit të shqiptar)
Kështu që në rast se ai njoftim në faqen e ambasadës që ka publikuar portali Politiko.al është i vjetër, mirë është të rifreskohet nga punonjësit e saj, në të kundërt policia e shtetit duhet të na thotë se cilat janë arsyet që e bëjnë jetën e qytetarëve nga kudo qofshin ata, të pasigurt në qendrën administrative Lazarat. Po Bashkia, Prefekti dhe Qarku Gjirokastër, a mund të na thonë ndonjë gjë për këtë ?
Në dijeninë time ka shumë lazaratas që kanë nënshtetësi amerikane dhe ata tani kanë ardhur për pushime në vendlindjen e tyre. Nuk u ka ndodhur asgjë. Janë si kokra e mollës.
Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për punën e çmuar që ambasada e USA bën për thellimin e reformave jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilat unë personalisht si qytetar i këtij vendi i mbështes fuqishëm, kam përshtypjen se një njoftim i tillë, nëse realisht nuk ka ndonjë të dhënë të sigurt për pasiguri jete ndaj qytetarëve të huaj a vendas, duhet hequr sepse përveç që është një njollë turpi si akt moral për banorët e asaj zone, është mbi të gjitha dhe një indikator negativ për zhvillimin e turizmit a të ndonjë bashkëpunimi ekonomik të mundshëm sot a nesër me partnerë vendas a të huaj qofshin, për më tepër që Lazarati është përfshirë edhe në programin e 100 fshatrave që duhen zhvilluar.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here