Zv.ministri i Bujqësisë Julian Hodaj ka folur për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, temë kjo që ngjalli polemika në opinionin publik.
Për News 24, Hodaj tha se kanabisi nuk do të mbillet kudo, por do të jepen licenca për subjektet. Ai shtoi se sipërfaqet e mbjella do të kontrollohen duke theksuar se nga pikëpamja e sigurisë nuk do të ketë probleme.
“Jo gjithkush mund të ketë mundësi që ta mbjellë. Nuk do mbillet kudo në Shqipëri. Do ketë masa sigurie të shtuara mbi këto sipërfaqe të mbjella. Kemi dhe eksperiencën e Italisë që e ka këtë gjë, që e kontrollon. Personat që do të merren me këtë lloj aktiviteti do jenë të kontrolluar. Kushdo që kërkon licencën do kontrollohet, do ketë një burim besueshmërie. Do ketë dhe një kontroll mbi njerëzit që do të kenë akses mbi këto sipërfaqe. Ushtrohet dhe ai që është kontroll efektiv i territorit. Do ketë kontrolle periodike të shpeshta. Unë besoj që pjesën kryesore e ka policia. Sipas tij, nga pikëpamja e sigurisë nuk ka asnjë lloj problemi, po flasim për kultivim të kontrolluar, do ketë licenca për subjekte të caktuara dhe jo kushdo mund të ketë një licencë”, tha Hodaj