Leksion nga Lazarati

0
647

Djemtë e Lazaratit sot, kanë dhënë një leksion të vërtetë qytetarie dhe kjo, në fushën e futbollit aty ku ethet e tifozërisë, nuk njohin kufij. Dy ekipe futbolli njëri prej të cilëve mbante emrin Lazarat, janë ndeshur sot me njëri-tjetrin për të matur forcat se kush është më i aftë në sportin më të dashur në Gjirokastër dhe jo vetëm. Pallati i Sportit, ka qenë i populluar shumica me përkrahës nga ekipet finaliste. Në fushën e lojës, faullet nuk kanë detyruar gjyqtarin e takimit të nxirrte asnjë karton të kuq vecse dy të verdha. Jashtë saj, edhe më mirë se brenda vijave kufizuese të fushës a thua se po luhet në një tjetër ambjent jashtë Shqipërisë. Përvec brohoritjeve të tifozëve nga të dy ekipet, nuk u dëgjua asnjë epitet, sinonim apo ofezë karshi lojtarëve të ekipeve kundërshtare, apo dhe ndaj gjyqtarëve të cilët rëndom janë edhe nga më të shënjestruarit nga tifozeria. Ky ishte leksioni i parë që sportëdashësit lazaratas, përcollën në shkallët e Pallatit të Sportit ndërsa qëndronte shtangur kryebashkiakia e Gjirokastrës. Rëndom kjo e fundit, është e detyruar të dëgjojë lloj-lloj epitetesh, sharjesh apo dhe fraza në korr, në stadium ku për veshët e cdokujt janë gjëra që ndodhin dhe nuk shmangen. Habia e Ramit, tejkaloi parashikimin e saj pasi lazaratasit paragjykohen rëndom në grup, pavarësisht se vuajnë pasojat e sjelljeve të lokalizuara të individëve të caktuar që kanë lënë gjurmë por që kurrësesi, nuk mund të jenë përgjithësuese. Kryebashkiakia, sot ndoshta mund të ketë reflektuar për suprimimin e shpërblimit financiar ndaj kampionëve lazaratas, por sa kushtn kjo?! E megjithatë, sot ajo si kryebashkiake e një qyteti që gjeneron kulturë, i mori tre leksione qytetarie nga fshati 2 km larg qytetit të UNESCO-s.

E para ajo e një loje perfekte pa cënuar fizikisht, moralisht dhe pa intimiduar kundërshtarët në fushën e lojës.

Leksioni i dytë, sjellja me qytetari e tifozëve lazaratas aq shumë dashamirës ndaj futbollit.

Dhe leksioni i tretë, mirësjellja e lojtarëve të ekipit të Lazaratit karshi kryetares së Bashkisë që nuk e kanë votuar dhe sërish nuk do ta votonin sa herë tu jepej rasti. Ky leksion, e ka “goditur” pa masë Zamira Ramin (nëse e ka kuptuar). Pse do të thoni ju. Sepse lazaratasit ndoshta nuk do të respektonin kurrë një Zamirë, apo një Flamur apo një Ylli si individ nëse ai ose ajo, do të ishte peng i paragjykimeve ndaj tyre, por respektojnë institucionin e kryetarit të Bashkisë edhe kur ai, nuk i respekton ashtu sic duhet. Lazaratasit sot, nuk kishin kusur lekët e Zamirës, por respektin e saj ndaj një komuniteti që vecse ka dhënë dhe asgjë ska marrë nga qeveria e Zamirës. Kërkonin respekt dhe jo “Fletë Lavdërimi”. Kërkonin zemër dhe jo lëmoshë. Kërkonin meritë dhe jo diktat. Por kur këto leksione qytetarie vijnë nga Lazarati, ato mjegullohen pasi kompleksi ndaj këtij fshati, ende egziston, se paragjykimet ndaj tyre nuk shterrojnë pavarësisht se janë një komunitet që kulturën e ka në gjenezë. E pra sot Lazarati, u shndërrua në burim leksionesh qytetarie për ata që e paragjykojnë dhe pak për ata që e kanë ditur burimin e kësaj qytetarie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here