
GJKKO mori vendimin që të linte në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin dhe mikun e tij Pantelis Kokavesis. Avokati i Fredi Belerit do të ankimojë çështjen.
Ndërkohë mediat greke kanë publikuar një deklaratë të shoqatës “Himara”, ku thuhet: “Qeveria shqiptare, në kundërshtim me çdo koncept ligjor, vendosi sot të vijojë burgosjen e kryebashkiakut të Himarës, Fredis Beleris dhe shtetasit Pantelis Kokavesis. Përballë këtij zhvillimi, do të ushtrojnë të gjithë fuqinë që mundemi që bashkatdhetarët tanë të lirohen ashtu siç e meritojnë.”
Shoqata “Himara” ka bërë thirrje për një protestë përpara ambasadës shqiptare në Athinë pasditen e sotme.
“Ftojmë të gjithë himarjotët që jetojnë në Athinë por edhe çdo grek, çdo qytetar të Greqisë dhe Shqipërisë që e kupton këtë padrejtësi të na bashkohen në protestën paqësore që po organizojmë të martën e datës 23 maj në orën 06.00 pasdite në ambasadën shqiptare të Athinës. Le të japim të gjithë së bashku mesazhin se kjo nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratë.