Lezha, Gjirokastra, Berati dhe Dibra, me rënien më të madhe të lindjeve në 6-mujorin e parë

0
209

Treguesit e fertilitetit në Shqipëri po përkeqësohen me shpejtësi, duke e renditur vendin me normat më të ulëta të lindshmërisë në Europë.

Megjithëse Qeveria ka aplikuar një mbështetje financiare në formën e bonusit të bebeve që nga 2019, numri i lindjeve po bie me shpejtësi nga viti në vit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 6-mujorin e parë të vitit, lindjet shënuan rënie vjetore në shkallë vendi me 12.7%, por Qarku i Lezhës kishte rënien më të lartë me 23.5%, i ndjekur nga Gjirokastra, me 19%, dhe Berati dhe Dibra përkatësisht, me nga 17% secila.

Rënia e lindjeve me ritme dyshifrore ka përfshirë edhe kryeqytetin. Në 6-mujorin e parë të vitit, në Tiranë lindën 3785 bebe nga 4345 që lindën në 6-mujorin e parë 2022, me një rënie 13%.

Rënia e lindjeve e kombinuar me normat e larta të emigracionit po e vë vendin përballë një sfide të panjohur me parë.

Bizneset në të gjithë sektorët dhe të gjitha qarqet janë në sfidë për gjetjen e punonjësve. Teksa vendi është para mundësive për të zgjeruar ekonominë në sektorin e shërbimeve dhe prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore po bëhet një pengesë serioze.

Veç të tjerash struktura e popullsisë së mbetur është përkeqësuar në favor të moshave të vjetra. Të dhënat e INSTAT tregojnë se me 1 janar 2023 popullsia mbi 60 vjeç ishte sa një e katërta e totalit të popullsisë.

Shkruaj nje koment