Lida Miraj-Kumbaros: Profesionistët kundërshtojnë makabritetin

Projekti “Bypass” në qytetin e Gjirokastrës solli takimin në Akademinë e Shkencave mes ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe akademikëve, arkitektëve, inxhinierëve etj. Ashtu si dhe në peticion dhe këtë herë u kërkua anullimi i projektit. Por ndërsa ministrja Kumbaro në Facebook shkruan se si u zhvillua ky takim, arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj i kujton që nuk janë vetëm 30 personalitete që e kundërshtojnë këtë projekt, por janë dhe shumë specialistë të tjerë . “Unë jam një nga ato persona, që e kanë firmosur me bindje të plotë ndalimin e “Bypass”-it të Gjirokastrës dhe e them ballëhapur, që të gjithë ata që kanë vënë firmën aty, janë të bindur që “Bypass”-i nuk duhet bërë. Dhe nuk janë vetëm 30 profesionistë të fushave të ndryshme, por janë shumë e shumë të tjerë që mbështesin këta profesionistë të vërtetë dhe që kundërshtojnë makabritetin, që propozohet të shëmtoje këtë qytet me vlera”, është komenti i arkitektes Lida Miraj për ministren Kumbaro. Nuk është hera e parë që arkitektja dhe arkeologia Miraj ka reaguar për probleme që janë në fushën e trashëgimisë kulturore. Ashtu si dhe të tjerë specialistë të fushës së trashëgimisë që për Gjirokastrën kanë pasur në vëmendje dhe rrënimet e banesave monumente kulture, Miraj ka pohuar se ka munguar vëmendja nga Ministria e Kulturës dhe këtë herë ajo i përgjigjet ministres Kumbaro për “Bypass”. Por dhe Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës për takimin në Akademinë e Shkencave me ministren e Kulturës Kumbaro bën me dije se doli qartë se “Bypass i Qytetit të Gjirokastrës”, i planifikuar dhe i miratuar për t’u ndërtuar në qendrën historike të Gjirokastrës, përbën një ndërhyrje që cënon rëndë vlerat për të cilat qyteti i Gjirokastrës është shpallur pasuri e trashëgimisë botërore të njerëzimit. “Pjesëtarët e Forumit të Mbrojtjes së Vlerave të Gjirokastrës me mbështetjen totale edhe të shumë profesionistëve të fushës i qëndrojnë me bindje relacionit të dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare dhe kërkuan me këmbëngulje anullimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit (Nr. 223 të datës 13 shtator 2016) për ndërtimin e “Bypass i Qytetit të Gjirokastrës”. Nëqoftëse ky vendim nuk do të anullohet përgjegjësia nuk është vetëm e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, por rëndon direkt mbi ministren e Kulturës”, thuhet në deklaratë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment