Ligji për dividentin, Meta: Shkelje e Kushtetutës, qindra miliona euro dëm

0
151

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Presidenti Meta, ka dhënë ditën e sotme një konferencë për shtyp, ku ka denoncuar shkeljen e Kushtetutës me rastin flagrant të ligjit të dividentit.
Kreu i shtetit ka bërë të ditur se do të kallëzojë në SPAK përgjegjësit e miratimit të ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat pasi sipas tij ky ligj i ofroi lehtësira fiskale oligarkëve dhe atyre që janë afër me qeverinë duke diskriminuar qytetarët e thjeshtë.
“Ligji për dividentin është rasti më flagrant se si Kuvendi i kapur, bashkë me qeverinë, ka dhunuar Kushtetutën dhe për këtë, shumë shpejt do të japin llogari para popullit dhe drejtësisë së re që do të vijë”, tha Meta.
Presidenti sqaroi se kushtetuta është e qartë sa i takon lehtësirave fiskale, me nenin 155 të saj, që nuk ka fuqi pasvepruese. Megjithatë, Meta u shpreh se sekti mafioz i Rilindjes në datën 3 Dhjetor miratoi fshehurazi ligjin e dividentit që dëmton sipërmarrësit dhe bizneset familjare dhe favorizon oligarkët. Sipas tij, ky ligj ka efekt prapaveprues, dhe bie ndesh me nenin 155 dhe me nenin 18.
“Në këtë nen, mavri kuvendi vendosi që tatim i dividentit nga 15% të shkojë në 8%. Ky parashikim dhunon nenin 155, sepse kjo do të thotë diskriminim para ligjit. Edhe më thjeshtë pasoja e këtij krimi të tmerrshëm është kriminale, dhe e pabesë dhe goditje për mijëra biznese. Ndërkohë që me ligjin e miratuar oligarkët dhe ata që kanë paguar dele deputetët dhe qeverinë paguajnë 8%. Ky krim i rëndë kushtetues përmbys sistemin fiskal duke varfëruar qytetarët dhe bizneset e ndershme që kishin paguar me ndershmëri.”, shtoi ai.
Presidenti theksoi më tej se ai e ktheu dekretin në vitin 2018, megjithatë Kuvendi e votoi dhe e botoi në fletoren zyrtare në mënyrë të fshehtë, pa transparencë dhe pa konsultime duke i kushtuar me qindra milionë euro dëme buxhetit të shtetit, në kurriz të popullit.
“Me dekretin e datës 20 dhjetor 2018 vendosa rikthimin për rishikim. Çfarë ndodhi në të njëjtën ditë, që Presidenti i thotë Kuvendit thirri mendjes? Në të njëjtën ditë Kuvendi zhvilloi seancë, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi një seancë në fshehtësi pa prezencën e Presidentit dhe opozitës për herë të parë në histori. Shkelën ligjin me të dyja këmbët, duke futur në mënyrë të fshehtë dekretin e presidentit. U shmang debati me përfaqësuesit e Presidentit. Diskutimi publik do të nxirrte në pah trajtimin që qeveria u ofron oligarkëve të tij, duke i kushtuar me qindra milionë euro buxhetit të shtetit. Do të paraqes në ditët e ardhshme në SPAK kallëzimin penal”, tha Meta.
Më tej, Presidenti bëri thirrje për pjesëmarrje në tubimin e së hënës. “Ky sekt po përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Unë, ju pres të gjithëve nesër, pasi kjo sjellje poshtëruese është bërë e padurueshme”, tha Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here