Lleshaj justifikohet: Nuk dija gjë për tenderin e uniformave, por e tradhton padia

Sandër Lleshaj mbante detyrën e ministrit të Brendshëm, kur u nënshkrua tenderi për blerjen e uniformave të policisë së shtetit me vlerën mbi 2.8 miliardë lekë.

SPAK firmosi të shtunën urdhër-arrestin për 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, nën akuzë për shkeljen në barazi dhe pjesëmarrje në tendera.

Ish-ministri, Sandër Lleshaj ka folur për këtë çështje në një lidhje me A2, ku ka përshëndetur SPAK për hetimet e kryera, por duke thënë se nuk ka pasur dijeni në lidhje me tenderin.

‘Unë personalisht kam kërkuar publikisht nga foltorja e Kuvendit në shtator të vitit të kaluar qe kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me të janë për t’u refuzuar’.

Duke iu referuar hetimeve që zgjatën për rreth 10 muaj, rezulton se për të favorizuar kompaninë D&E shpk, që fitoi edhe tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit për një periudhë 4 vjeçare, agjencia e blerjeve të përqendruara në ministrinë e Brendshme shtyu afatin e zhvillimit të tenderit. Lleshaj sqaron se në këto procedura nuk ka pasur asnjë ndikim, pasi ministri nuk ka asnjë rol.

‘Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha kurrfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedure konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, përfshirë natyrisht edhe atë për uniformat e Policisë së Shtetit.  Sistemi i prokurimit ne Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol’, është shprehur Sandër Lleshaj për A2.

Edhe pse ish-ministri është justifikuar se gjoja nuk dite gjë, provat thonë të kundërtën.

Kur e denoncoi PD tenderin, ministria që drejtohej nga Lleshaj hodhi në gjyq Lealba Pelinkun për shpifje duke u përbetuar se tenderi ishte kristal i pastër.

Pra, ai jo vetëm që e dinte, por u kujdes të mbronte mirë me padi shpifjeje korrupsionin 2.8 miliardë lekë (25 mln euro).

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment