Nga Panajot Cakalli
Fill pas protestës së jashtëzkoanshme të 18 Shkurtit, mbas atyre momenteve fantastike të ekzaltimit personal emocional, më lindi dëshira të shkruaja diçka në lidhje me këtë ngjarje.
Në kohë të tilla të zeza për lirinë e fjalës, ku mediat dhe pseudo-gazetarët e saj, skllevërit e pushtetit absolut të Edi Ramës, thjesht mundohen të zvogëlojnë përmasat dhe vlerat e aksionit opozitar, natyrisht fryma jokonformiste duhet përcjellë në të vetmen hapësirë free për komunikimin e mendimit që është media elektronike.
Më 18 Shkurt, kreu i opozitës, Lulzim Basha foli qartë, hapur dhe prerë për vendimin e madh të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj për të bojkotuar zgjedhjet e 18 qershorit, sa kohë Edi Rama është kryeministër.
E megjithatë, skllevërit e shurdhuar të medias, që pispillosen dhe krekosen në ekrane duke vjellur injorancë dhe servilizëm ndaj Ramës, mundohen në mënyrë dëshpëruese të relativizojnë atë që është fakt i kryer dhe ky fakt, e ka emrin BOJKOT !
Basha nisi të realizojë më 18 shkurt atë që vet i kisha shprehur në Gjirokastër më 27 Nëntor të vitit të kaluar, ide të bazuara në artikullin tim të po asaj date. (Shih: http://jugunews.net/2016/11/27/revolucioni-demokratik-shpresa-e-vetme-per-uesternizimin-e-shqiperise/).
Pyetja që mund të shtrohet është: A ka mundësi Lulzim Basha të ndikohet nga një antar i thjeshtë i Partisë Demokratike?
Nuk është e pamundur, sa kohë ai është nje dëgjues i shkëlqyer, por mbi të gjitha fakti se si Basha dhe si unë mbëritëm në të njëjtat konkluzione lidhet jo aq me komunikimin verbal të 27 nëntorit, se sa me nënshtrimin e ndershëm ndaj Arsyes, Logjikës dhe Real-politikës.
Ndër të tjera i kam thënë Z.Basha se qeverisja e Edi Ramës nuk është thjesht e korruptuar, por një diktaturë.
Dhe në këto kushte diktaturat nuk rrëzohen me zgjedhje, por vetëm me Revolucion Demokratik.
Ky Revolucion, për t’u realizuar ka dy rrugë: ose revolucion nga lart, ose revolucion nga poshtë.
I risjell në vëmendje lexuesit një nga Parimet Themelore të Arsyes, atë të të tretës së përjashtuar.
Përfundimisht duhet ta shkëpusim arsyetimin logjik nga vorbulla e logjikës dialektike hegeliano-marksiste!
Rrugë të mesme nuk ka .
Revolucioni nga Lart ka filluar …
Më 18 Shkurt u hodh vetëm hapi i parë, ai që mjetet e manipulimit masiv mundohen ta fshehin, por që e dëgjuan me mijëra e mijëra shqiptarë përballë kryeministrisë.
Lidershipi i Opozitës shpalli hapur bojkotin zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Hapi i rradhës është krijimi i një qeverie teknike e cila do të miratojë ndryshimet e domosdoshme ligjore për mbrojtjen dhe garantimin maksimal të votës së qytetarëve dhe vendosjen e zgjedhjeve në momentin më të përshtatshëm.
Hapi primar, por vendimtar i zbatimit të Revolucionit nga Lart, u hodh.
Natyrisht kjo rrugë është shumë më e mirë se sa një revolcucion nga poshtë, i pakontrolluar, domosdoshmërisht i dhunshëm dhe i paparashikueshëm.
Partia Demokratike organizoi një protestë masive, madhështore , në të cilën pavarësisht gjithë valës së spekullimeve mediatike që e krahasonin me 21 janarin, dha shembullin më të qartë të mungesës së dhunës.
Nuk u hodh asnjë gur mbi kryeministri – ky është realiteti dhe këtë vërtetë askush nuk mundet ta fshehë.
Skllevërit e plutokracisë kleptokratike të Edi Ramës mundohen përmes pushtetit të medias të gjunjëzojnë opozitën e këtij vendi, të joshin kreun e saj drejt zgjedhjeve “korrekte”të 18 qershorit, sipas formulës : “Një hap para e dy hapa mbrapa”.
Por Lulzim Basha dha një betim të cilit duhet t’i qëndrojë besnik.
Çdo devijim nga rruga e bojkotit të zgjedhjeve me këtë qeveri si organizatore do të ishte vdekje e tij politike dhe ndoshta shkatërrim edhe i Partisë Demokratike.
Beteja për protestë paqësore, në respekt të plotë të Kushtetutës, u krye më 18 Shkurt, por sfida e rradhës e opozitës është beteja për ndërgjegjësimin e publikut, betejë e cila nis me luftën kundër mjeteve të manipulimit masiv : Top-Channel, Klan e Vizion.
Revolucioni Demokratik ka filluar, por ai duhet të jetë një proces permanent që të mos devijojë nga rruga e tij, së pari deri në krijimin e qeverisë teknike dhe ky është vetëm stadi i parë i tij.
Stadi i dytë është pas realizimit të zgjedhjeve të lira me votim dhe numërim elektronik, ku detyrë themelore është rithemelimi i demokracisë, prerja e paktit mes shtetit dhe krimit, zbatimi i procesit të dekriminalizimit të politikës dhe nisja urgjente e dekriminalizimit të shoqërisë.
Kur një shtet është i kriminalizuar, kur në vend të ligjit sundon krimi, a mund të mendohet se shoqëria është imune ndaj këtij fenomeni ?
Përpara viteve 90 ne kishim një shtet kriminel sikundër dhe sot, edhe pse jo në të njëjtin raport: atëherë kishim totalitarizëm, ndërsa sot autoritarizëm fashist me rrënjë paleo-komuniste.
Sa kohë nuk rebelohemi ndaj kësaj situate, sa kohë shikojmë punët tona a thua se kemi punë, sa kohë vazhdojmë jetët tona a thua se kemi jetë, për aq kohë do të vijojmë të mbetemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë në krimin dhe injorancën që sundon.