Mbetjet urbane përbëjnë aktualisht një nga problemet mjedisore më të përhapura në Shqipëri. Ato kanë një rrezikshmëri të lartë për ndotjen e ujërave dhe dëmtimin e ekosistemit. Janë këto mbetje ato që vazhdojnë të ndotin edhe lumin e Drinos në Gjirokastër. Kudo nëpër shtratin e këtij lumi gjenden mbeturina që përbëjnë rrezik serioz jo vetëm për ujin por edhe për banorët e qytetit.
Por edhe lumenjtë dijnë si të ” marrin hakun” e tyre , kur reshjet janë intensive ,lumenjtë fryhen e dalin nga shtrati i tyre. Jo pak herë edhe Drino ka përmbytur rrugët apo nënstacionin elektrik , duke lënë pa energji qytetin e zonat përreth. Përmbytje prej tij kanë patur edhe tokat bujqësore, ku janë dëmtuar të mbjellat.
Dikur lumi Drino ishte një vend i preferuar për pushuesit e të gjitha moshave sidomos gjatë verës ku lumi mbushej plotë nga njerëzit që laheshin në të.Ndërsa ka vite që askush nuk i ” shkon” më për ” vizitë”. Në çdo kohë, dimër-verë, ndotja e lumit i ka larguar prej tij edhe peshkatarët . Drino, duke mbledhur gjithfarëlloj ndotjesh, rrezikon përhapjen e sëmundjeve. Ujërat e zeza të bizneseve që operojnë në këtë zonë derdhen po në lumë, pa harruar mbetjet e ndryshme si ato të industrisë së lëkurë-këpucëve ,mbetje shtazore etj. Shumë është folur e debatuar, por gjithnjë shtrati i lumit ka mbetur si vendi kryesor ku hidhen mbeturinat e qytetit ,ndërkohë që situata mbetet e pandryshuar e lumi vazhdon të mbushet . Mungesa e vëmendjes dhe investimeve në të e kthen lumin në një burim të sigurt sëmundjesh e infeksionesh.
Për qytetarët e Gjirokastrës është e nevojshme ndërhyrja dhe pastrimi i menjëhershëm i lumit si dhe gjetja e një zgjidhje përfundimtare për ndalimin e ndotjes.
Por jo vetëm kaq.
Përveç pasojave ekologjike ndotja e lumenjve sjell edhe probleme të tjera në ekonomi. Ndikimet negative nga ndotja janë të shumta, përfshirë këtu turizmin.
Kjo gjë ndodh pasi shumë prej të huajve apo edhe e vizitorëve vendas nuk kanë më dëshirë që të shkojnë në një vend i cili është i ndotur.
Duke mos u marr masa nga ana e instancave kjo gjë sjell një ulje të madhe të turistëve e cila konvertohet në një ulje akoma më të madhe në ekonomi.