Mafia dropullite me deputetin Vangjel Tavo dhe një vrasje e pazbardhur

0
1062

Nga Kastriot Myftaraj. 

Vangjel Tavo,  ky zotëri i lobit greko-amerikan është i vetmi deputet në historinë e shtetit shqiptar, e me siguri edhe në historinë e patridhës (atdheut të tij, Greqisë, se Tavo është minoritar grek), i cili në vitin 2003 ka deklaruar përpara Prokurorëve, në një dëshmi që mban nënshkrimin e tij dhe të Prokurorit, se atë kishte dashur ta vriste gruaja e tij. Vangjel Tavo e tha këtë kur Prokuroria ishte duke hetuar për vdekjen e gruas së tij, e cila u gjend “e vetëvrarë”, sipas versionit zyrtar, në Dropull, në janar 2002. Por sipas pretendimit të familjes së saj, e cila u ka shkruar shumë letra drejtuesve të institucioneve në Shqipëri, Greqi dhe ambasadave të huaja, ajo është vrarë dhe për këtë gjë familja e saj ka sjellë prova në letrat e saj, të cilat nuk janë marrë parasysh.
Z. Tavo u ngatërrua shumë në dëshminë e tij të gjatë në Prokurori sa i përket motiveve që kishte gruaja e tij për ta vrarë. Ai pretendonte se gruaja e tij donte ta vriste në bashkëpunim me dashnorin dhe të merrte fëmijët e të largohej jashtë Shqipërisë në një vend të bukur përtej Atlantikut.

Z. Tavo ka të drejtë kur thotë se gruaja e tij kërkonte divorcin dhe fëmijët e lindur nga martesa e përbashkët, por këto nuk i kërkonte me kërcënimin e vrasjes së bashkëshortit, por me kërcënimin se do të zbulonte gjithë të fshehtat e kompanisë tregtare të familjes, ku ajo ishte administratore. Vangjel Tavo në fakt do të kishte të drejtë ta quante këtë si një vrasje të vërtetë të tij, duke pasur parasysh veprimtarinë e kësaj kompanie sidomos në në doganën Kakavijës, ku Vangjeli kishte një linjë personale kalimi që nga viti 1997 kur u bë deputet. Vangjeli mbante në kompaniën e tij tre palë libra llogarie, një palë për shtetin grek, që e kishte financuar për të nisur një veprimtari tregtare në Shqipëri, një palë për shtetin shqiptar, dhe një palë për vete dhe ortakun e tij. Në atë kohë, përveç kontrabandës, funksiononte një linjë evazioni fiskal Greqi-Shqipëri, ku cigaret dhe pijet me taksim të lartë, paraqiteshin në letër si të eksportuara në Shqipëri, kur në fakt shiteshin në Greqi. Pastaj kishte edhe një linjë të sigurt trafiku droge në doganën e Kakavijës që mbrohej nga politikanët e lartë në Tiranë dhe Athinë. E ndjera zonja Tavo mund ta kishte vrarë bashkëshortin e saj me zbulimin e fakteve, e siç flitet të videoregjistrimeve për të gjitha këto. Por dikush u tregua më i shpejtë se ajo.

Z. Tavo për atdhetarizëm grek përveçse për siguri më të madhe nga kontrollet ligjore, i vendosi të ardhurat nga këto veprimtari në bankat e Qipros greke, ku siç dihet me krizën e fundit financiare, depozituesit si ai i panë paratë e tyre të shndërrohen në aksione të bankave, pra në letra pra vlerë. Kështu që z. Tavo duhet t’ ia nisë punës nga e para për të mbushur llogari bankare të reja e këtë duket se do ta bëjë me sukses pasi është superdeputet (është deputet që nga viti 1997) dhe do ta ndihmojë edhe qenia në Grupin e Miqësisë Shqipëri-SHBA.

Në Grupin e Miqësisë Shqipëri-SHBA zoti Tavo përfaqëson mafien dropullite, që në Shqipëri është një taboo për të cilën nuk flitet, kuptohet se mërzitet Greqia. Por mafien dropullite nuk e ngacmon as ambasada amerikane në Shqipëri, kuptohet se mërzitet lobby greko-amerikan. Në një takim të komunitetit greko-amerikan deputeti Tavo është pritur si heroi i Lëkurësit. Në 1878, në kohën e Luftës Ruso-Otomane, Greqia hodhi në mësymje nga deti forca të zgjedhura ushtarake për të pushtuar kështjellën e Lëkurësit në bregdetin e Sarandës, por nuk ia arriti se vullnetarët shqiptarë e mbrojtën atë. Deputeti Tavo e mori Lëkurësin me dokumente të rreme dhe e shndërroi në një resort turistik luksoz bregdetar.

Pamfleti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here