Marksi, marksizmi dhe “komunizmi i aplikuar”

14642637_1068365703261788_344316781_nPanajot Cakalli, aktualisht nënkryetar i FRPD në Gjirokastër. Ka studiuar në Rusi për Shkenca Politike në Universitetin РУДН, si dhe për Histori-Gjeografi në Universitetin “Eqrem Çabej” dhe së fundi “Master Shkencor” për Histori në Universitetin e Tiranës.

Nga Panajot Cakalli

Një nga filozofët më me ndikim në histori është pa dyshim Karl Marks. Në lidhje me këtë figurë kaq të rëndësishme të shek.XIX është diskutuar gjatë, por jo rrallë herë debatet kanë degraduar në fyerje dhe banalitete, deri dhe në mohim të veprës së tij. Sigurisht që ky realitet i dhimbshëm në të cilin jetojmë, pasojë e një injorance të qartë filozofike më ka shtyrë të shkruaja këtë artikull për t’i dhënë Marksit vendin që i takon në historinë e qytetërimit perëndimor në përgjithësi, dhe në historinë e filozofisë në veçanti.

Në fakt është e vështirë të përcaktohet pozicioni i Marksit në këtë kuadër: ai ishte njëkohësisht edhe filozof, dhe politolog dhe ekonomist. Studimi i marksizmit kërkon rrjedhimisht një background të madh njohurish në këto fusha për të kuptuar me objektivitet kompleksitetin e veprës së tij. Prandaj dhe përfaqësuesit mediokër të marksizmit ortodoks të shek.XX, të cilët e katandisën filozofinë marksiste në trajtën e një dogme statike dhe gati-gati teologjike, janë të paaftë për ta kuptuar atë.

Fillesat e veta mendimi filozofik i Marksit i kishte te filozofia e Hegelit, sistemi më i madh filozofik i Epokës Moderne, me mjaft ndikim sikurse u pa edhe në rrymat e tjera të asaj kohe. Marksi u magjeps nga pozicioni qëndror që Hegeli i rezervoi historisë në sistemin e tij madhështor dhe sikundër edhe idealistët gjermanë, u vu në kërkim të zbulimit të ligjeve të zhvillimit të procesit historik.

Por ndryshe nga idhulli i tij i rinisë, Marksi arriti në konkluzionin se ishin forcat ekonomike, dhe jo idetë, “lokomotiva të historisë”. Por Marksit, i mungonin njohuritë në fushën e ekonomisë politike. Njohja me F.Engels-in do të plotësonte këtë vakum njohëstë Marksit, duke e çuar atë përfundimisht nga pozitat e hegelianizmit, në ato të materializmit historik dhe dialektik, një nga filozofitë më të keqkuptuara në shek.XX.

Që nga ky moment e në vazhdim, Marksi dhe Engelsi u bënë binomi filozofik më i famshëm në histori, edhe pse i pari kishte epërsi mbi të dytin. Engelsi s’kishte qefmbetje në këtë drejtim. Së bashku ata iu përkushtuan jo më përshkrimit të botës siç patën bërë filozofët e mëparshëm, por ndryshimit real të saj. Por çdo të thotë kjo frazë?

Kjo shprehje përbën faktikisht esencën e filozofisë marksiste, zhvendosjen e vëmendjes nga idealizmi absolut Hegelian te ndryshimi i botës materiale. Kjo tentativë e Marksit për të influencuar kursin e drejtimit të procesit historik do të realizohej përmes një tjetër elementi të sistemit të Hegelit që ishte triada e tij e famshme: Tezë+Antitezë=Sintezë. Te Materializmi marksist, teza ishte teoria, antiteza ishte praktika, dhe sinteza një nocion i ri, praksis. Përmes këtij koncepti gjithçka vihej në funksion të praktikës, pra të ndryshimit radikal të historisë. Por si do të realizohej kjo? Kjo do të bëhej përmes një “kapërcimi absolut”, klasa e shtypur, e ndërgjegjësuar për gjendjen e saj sociale, do të përmbyste klasën sunduese për t’i hapur rrugën krijimit të një shoqërie pa klasa, pra të një shoqërie komuniste.

Ajo që është e çuditshme në këtë filozofi është fakti se Marksi, edhe pse përherë flet për komunizmin, asnjëherë nuk hedh idenë se si do të jetë ky realitet idilik. Njëkohësisht termi revolucion u keqinterpretua qëllimisht nga partizanët e pushtetit duke e shndërruar atë në një mjet të fuqishëm të arritjes së ambicieve politike.

Pikërisht Lenini ishte i pari i cili i shfrytëzoi tezat marksiste në emër të pushtetit të tij personal duke modifikuar dhe prishur mjaft elemente humane të filozofisë së Marksit. Ky shpërfytyrim është proklamuar me mijëra e mijëra herë, edhe në vendin tone. Me mijëra e mijëra herë i janë ngritur lavde, shpesh nga njerëz që s’kishin idenë e thellësisë së filozofisë marksiste dhe shkallës së ndërhyrjes në të të teorive leniniste. Ishte Lenini dhe jo Marksi ai që foli për vazhdim të luftës së klasave edhe pas revolucionit, ishte Lenini ai që fliste për ndëshkimin e fshatarëve të pasur”(në rusisht=кулак), ishte Lenini që shprehte idenë se “partia forcohet duke u pastruar”. Dhe çfarë ishte ky katarsis Leninist – një vargan i gjatë vrasjesh makabre, që u bënë model imitimi nga të gjitha vendet “komuniste” të para viteve ’90.

Besoj se tashmë është më i qartë dallimi i koncepteve marksizëm nga leninizëm, dhe komunizëm nga komunizëm i aplikuar. Ky i fundit u pa që ishte një dështim duke u kthyer në një prej sistemeve më totalitare të shek.XX. Kaq të frikshme ishin përmasat e shtypjes së individit në këtë sistem saqë Winston Churchill na rrëfen në veprën e tij “A History of the English speaking people” se do të ishte më normale të njihje me ligj homoseksualizmin se sa bolshevizmin. Përherë në këtë vepër, Churchill shpreh rezervat e tij për braktisjen e Rusisë në kthetrat e Leninit, për të cilën bota do pendohej, dhe pa dyshim, duke parë rrjedhën e ndryshimeve historike, me siguri që është penduar.

Bolshevizmi i Leninit nuk i ngjante aspak prirjeve humaniste dhe historiciste të ndryshimit të shoqërisë përmes kapërcimit absolut të Marksit. Te marksizmi gjallojnë përherë parrullat e famshme të Revolucionit Francez: Liberté, égalité,fraternité dhe kjo filozofi u vu në kërkim të zbatimit të këtyre idealeve të mëdha edhe pse Lenini e shformoi marksizmin për të mos realizuar asnjërën nga të treja.

Marksi nuk mund të mbajë kurrë mbi supe krimet e Leninit, dhe aq më pak të Stalinit. Dështimi i tij më i madh është fakti se nuk parashikoi dot çfarë shfrytëzimi barbar do t’i bëhej filozofisë së tij, se çfarë lloj vandalizmi do të pushtonte botën përmes komunizmit të aplikuar.

Sidoqoftë, përtej edhe këtyre dobësive Marksi mbetet një nga figurat më të shquara të historisë dhe nuk ka akademik sot në botë që të flasë për politikën, ekonominë dhe filozofinë pa përmendur emrin e këtij personaliteti të shquar. Rrjedhimisht, Marksi hyn në listën e të mëdhenjve dhe kjo është e postuluar aposteriori, dhe jo apriori.

 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment