
Çmimet e larta kanë ulur përdorimin e bulmetit, mishit dhe vajit të lulediellit, ndërsa zbrazja e rretheve ka reduktuar shitjen e bukës. Sipas shoqatave të biznesit, shtrenjtimi i lartë i produkteve ushqimore ka ulur konsumin deri në 25% më pak se vjet. Edhe në bare dhe restorante vazhdohet të konsumohet më pak, ndërsa është shtuar kërkesa për mobiliet vendase. Prodhuesit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për uljen e TVSH-së së ushqimeve, pasi rrezikohet mbyllja e fabrikave
Shtrenjtimi i çmimeve te produktet e shportës ushqimore dhe emigracioni i popullsisë vijojnë të ulin konsumin. Sipas kompanive ambalazhuese, në janar 2023, konsumi i vajit të lulediellit është në rënie, i ndikuar nga çmimi ende i lartë dhe mbiprodhimi i vajit të ullirit. Edhe për mishin dhe nënproduktet e tij vazhdon rënia e shitjeve.
Kompanitë përpunuese të mishit shtojnë se reduktimi i fuqisë blerëse ka ardhur nga çmimet e larta për shkak të kostove dhe emigracionit. Në tërësi, çmimet e nënprodukteve të mishit në vitin e kaluar, sipas kompanive, u rritën 15% krahasuar me vitin 2021.