Meta: Shqipëria, e fundit në rajon për mbështetjen fiskale gjatë pandemisë

0
131

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar këtë të enjte se Fondi Monetar Ndërkombëtare rendit vendin tonë të fundit në rajon për sa i takon mbështetjes fiskale të drejtpërdrejtë për pandeminë COVID-19.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e muajit janar 2021, mbi nivelin e mbështetjes fiskale të drejtpërdrejtë për pandeminë, e rendit Shqipërinë të fundit në rajon. Niveli i mbështetjes buxhetore rezulton rreth 4.5 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit. Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sa i përket mbështetjes kundër COVID-19, ndërkohë Maqedonia e Veriut ndodhet në nivelin 2.6% të PBB, Bosnje-Hercegovina në 5.1% të PBB, Kosova 5.6% e PBB, Serbia 5.6% e PBB dhe Mali i Zi në 8% të PBB”, shkruan Meta.
Sipas Kreut të Shtetit, qeveria duhet të shkurtojë pagesat për PPP-të dhe të shtojë mbështetjen buxhetore për përballimin e pasojave të pandemisë.
“COVID-19 nuk luftohet me propagandë. Numri i të prekurve dhe i jetëve të humbura po rritet çdo ditë. Qeveria duhet të shkurtojë pagesat për PPP-të dhe të shtojë mbështetjen buxhetore për përballimin e pasojave të pandemisë. Asgjë nuk ka më shumë vlerë se shëndeti dhe jeta e qytetarëve, që duhet të jenë prioriteti ynë absolut!”, shkruan Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here