
Kryeministri grek Kyriakos Mitotakis ka reaguar sërish për çështjen e Fredi Belerit, kryebashkiaku i Himarës i cili ndodhet në burg nën akuzën e shitblerjes së votës.
Për mediat greke, Mitsotakis tha se nuk po ndërhyn në drejtësinë shqiptare, sikurse kryeministri Edi Rama është shprehur, por po kërkon të zbatohet një vendim administrativ për t’i dhënë mundësinë Belerit të betohet si kryebashkiak edhe në qeli.
Kryeministri grek tha se kjo ndikon në marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë, si edhe në progresin e saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
“Më shqetëson veçanërisht fakti jo vetëm i burgosjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, por që edhe sot Shqipëria i mohon mundësinë edhe nga burgu të betohet si kryetar bashkie.
Është vendim administrativ, nuk jam i përfshirë në drejtësinë shqiptare. Heqja e mundësisë së Fredis Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie është shkelje e rregullave të shtetit ligjor, duke shkaktuar probleme në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në përpjekjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar familjes evropiane.
Minoriteti etnik grek në Shqipëri duhet të ndiejë se përballë Greqisë ka një aleat për të vetëkuptueshmen. Ose flasim për pronë, ose flasim për barazi në pjesëmarrje në veprimtarinë politike të Shqipërisë.
Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje. Nuk do të ndalem së ngrituri çështjen në nivel europian, por edhe drejtpërdrejt tek kryeministri Rama kur ta takoj sërish”, ka thënë Mitsotakis.