Shqipëria do të furnizohet me vaj luledielli nga Maqedonia e Veriut. Lajmin e bëri me dije ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë të përbashkët me homologun maqedonas, Kreshnik Bekteshi.
Ibrahimaj shtoi se për këtë product ka mungesa në tregjet ndërkombëtare edhe pse çmimi është rritur ndjeshëm.
“Nesër Republika e Maqedonisë së Veriut, do marrë vendim të rëndësishëm që do çelë eksportet e vajit të lulediellit për Shqipërinë që ishte një produkt që siç kemi bërë të ditur është një produkt që importohej nga Ukraina dhe ka pasur mungesë në tregjet ndërkombëtare e arsyeja pse çmimet kanë qenë më të rritura.
Dua të siguroj që marrëdhënia e dy vendeve në kuadër të tregtisë do vijojë të jetë shumë e mirë e do vijojmë të lehtësojmë gjithë procedurat që kemi marrë përsipër në kuadër të Open Ballkan”, tha ministrja.
Ndërsa Bekteshi foli përr rritjen e bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve.
“Më gëzon fakti që kemi rritje të bashkëpunimit tregtar. Nëse bëjmë krahasim nga shkëmbimi tregtar i para kohës së tregtisë jemi më mirë në tremujorin e këtij viti, ku kemi tejkaluar shumën e 200 milionë eurove të shkëmbimit tregtar i cili nuk ka qenë më shumë se 140 milionë euro, sipas të dhënave të Entit Statistikor“, theksoi Bekteshi.