Nafta pa taksa për bujqësinë, deri tani 19.412 fermerë përfitues

0
131

Vijon shpërndarja e kartave të naftës falas për fermerët në të gjithë vendin, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023.

“Deri më tani janë 19,412 fermerë përfitues, të cilët janë pajisur me kartën e naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, për një sasi prej 4,138,198 litrash naftë”, njoftoi Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 litra naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.

AZHBR njofton se, nga verifikimet në terren deri tani, nga skema e naftës pa taksa kanë përfituar  19 412  fermerë të cilët e kanë vendosur në përdorim për mbjelljen e 72 mijë hektarëve me kultura të ndryshme bujqësore.

Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.

Skema e mbështetjes për naftë falas vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.Sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023.

Qeveria po zbaton prej tre vitesh skemën mbështetëse të naftës pa taksa për bujqësinë, duke lehtësuar buxhetet e fermerëve në punët e bujqësisë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me vitin 2021, këtë vit numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë është rritur në 50 mijë nga 20 mijë aplikantë që ishin një vit më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here