Ka ndërruar jetë sot Dr. Rushen Golemi, mjeke, ish deputete e PD në zgjedhjet e vitit 1992.
Familja e doktoreshë Rushenit, ka njoftuar sot humbjen e jetës së saj në moshën 82 vjecare.
E para, si kirurge femër në Shqipëri. E para që zbulon zarfet kërcënuese për “dënim me vdekje”. E para si deputete në Partinë Demokratike kur ende shumica ishte nga Partia e Punës.
Kjo ishte Rushen Golemi, doktoresha që është nderuar me disa medalje shqiptare, ku spikat ajo më e larta, “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe e përfshirë njëkohësisht në një enciklopedi të Britanisë së Madhe, ku është zgjedhur si një ndër 2000 personazhet e shquar botërorë të shekullit XX.
Ajo lindi në një familje durrësake më 16 korrik të 1935. U diplomua për mjekësi në 1957, e martuar me tre fëmijë.
Rushen Golemi ka qenë e bija e Mahmut Golemit, i njohur si prefekt në shumë qytete të Shqipërisë në kohën e Zogut, por edhe si Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë.
Për Rushenin, është realizuar edhe një dokumentar në vitet ’70-‘80, si kirurgia e parë femër në Shqipëri, ndërsa ka qenë dalluar për aktivitete sportive, sidomos në volejboll dhe atletikë.
Mjekësia shqiptare humbi një nga pioneret e veta, ndërsa politika pluripartiake shqiptare, humbi të parën femër politikane me orjentim liberal-demokrat.