Ndahet nga jeta profesor Naxhi Mamani

0
234

Një tjetër humbje e dhimbshme largoi sot nga rradhët e intelektualëve gjirokastritë një prej kontribuesve më të mirë të qytetit dhe universitetit “Eqrem Çabej”, të cilit i kushtoi të gjithë angazhimin e vet profesional dhe qytetar.

Prof. Asoc. Doc. Naxhi Mamani lindi në 7 qershor 1944 në Gjirokastër. Ai përfundoi studimet në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, në vitin 1968.

Në vitin 1970 ai nisi veprimtarinë e vet akademike dhe qytetare duke mbajtur disa pozicione të rëndësishme drejtuese.

Gjatë viteve 1979-1989 emërohet në detyrën e Sekretarit të Këshillit Shkencor të Rrethit dhe Kryetarit të Dhomës së Tregtisë për Qarkun, ku ndjek veprimtarinë kërkimore shkencore dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e tregtisë me Janinën e Korfuzin.

Për një periudhe 3 – vjeçare punoi Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit dhe më pas përgjegjës i seksionit të planit në aparatin e Komitetit Ekzekutiv.

Përpara se të fillonte përgjegjës i Departamentit të Ekonomikut ne Universitetin “Eqrem Çabej” u emërua drejtor i sektorit të xunkthit të Ndërmarrjes Artistike, prodhimet e së cilës tregtoheshin në disa vende të Europës.

Nga viti 1995 e në vazhdim, prof. Naxhi Mamani ka qenë i përfshirë në jetën akademike ku krahas mësimdhënies angazhohej edhe me veprimtari kërkimore – shkencore dhe përmbushi kërkesat për titujt:

🔺 Doktor i Shkencave Ekonomike me studimin “Ekonomia e rrethit të Gjirokastrës, veçoritë e zhvillimit të saj në kushtet e tranzicionit”.

🔺 Me studime, referime në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare në disa vende të Bashkimit Europian, botime të artikujve shkencorë në revista shkencore brenda e jashtë vendit,fiton titullin akademik “Profesor i Asociuar”.

Kontribues aktiv në nismat qytetare në shërbim të komunitetit gjirokastrit, prof.asoc.dr Naxhi Mamani ka lënë gjurmën e vet në altarin e kontribuesve gjirokastritë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here