Ndërprerja e energjisë elektrike, Çela: 12 fidera janë me defekt

0
249

Administratori i OSHEE-së Adrian Çela ka folur lidhur me situatën e energjisë elektrike në vend, pas kushteve të vështira atmosferike dhe motit të ashpër me reshje shiu dhe reshje bore.

Në një intervistë për News 24, Çela u shpreh se në situatat kur kemi të bëjmë me mot të keq deri në furtuna, defektet e energjisë elektrike janë normale.

Të paktën 19.218 abonentë në të gjithë vendin janë aktualisht pa energji elektrike. Megjithatë Çela theksoi se situata po shkon drejt përmirësimit. Më problematike paraqitet situata në Drejtorinë Rajonale të Burrelit.

“Kur kemi reshje të shumta bore dhe kohë të keqe, furtunal. Jemi koshientë që situata në të tilla raste do pasqyrohet dhe me rritje të defekteve. Jo kur ka reshje të shiut normal përveç ditëve të caktuara kur kemi fortunal apo reshje dëbore që impaktojnë linjat e furnizimit të energjisë elektrike sidomos në zonat e thella rurale. Aktualisht kemi në terren 2200 punonjës, në gatishmëri 24 orë. Situata ka ardhur drejt përmirësimit. Në momentet që flasim nga 1200 fidera janë vetëm 12 fidera ende me defekt. 19218 abonentë janë pa energji elektrike në këto momente. 322 janë në zonat urbane. Situata më e agravuar në Drejtorinë Rajonale Burrel, për terrenin e vështirë që ka kjo zonë. Ka reshje bore dhe punonjësit e OSHEE po punojnë në kushte ekstreme të motit për t’iu kthyer energjinë banorëve”, tha Çela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here