Ndotja akustike nga trafiku dhe boritë

0
78

Shqipëria renditet në vendin e 23-të mes 98 vendeve të analizuara nga Numbeo për indeksin e ndotjes akustike.  Nga vendet e rajonit vetëm Maqedonia ka një ndotje akustike më të lartë që e rendit atë në vendin e 12.

Ka një Kod të pashkruar mes shoferëve shqiptarë. Boria!! Nëse dikush hyn gabim dëgjon një simfoni borish që e shoqërojnë, nëse kërkon të të japë prioritet sërish është një bori për miratim, e njëjta edhe nëse është hapur drita e gjelbër e semaforit. E në këtë kaos trafiku, ajo që mendohet e fundit është “kontributi” në ndotjen akustike që shkaktohet në qytet. Por boritë janë vetëm njëri prej elementëve që e shkakton këtë zhurmë.

Të dhënat zyrtare të të Institutit të Shëndetit Publik dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, tregojnë se ndotja akustike  urbane në kryeqytet arrin në vlerën e 70 decibel ditën dhe 57 natën, pra rreth 20 decibel më e lartë se standardi i normave të Bashkimit Europian për nivelin kufi të ndotjes akustike.

Sipas ligjit nr.9774, datë 12.07.2007 është bashkia ajo që harton dhe zbaton plane vendore për reduktimin e zhurmave si dhe shpall zonat e qeta nëpërmjet akteve nënligjore. Po kështu ajo u kërkon personave fizikë dhe juridikë marrjen e masave parandaluese për të respektuar kufirin minimal të zhurmave në zonat urbane. Por realiteti sot tregon se kjo është një kompetencë e paushtruar nga ana e vendorëve, sidomos pjesën e trafikut dhe përdorimit të borive në kryqëzime dhe vende pa sinjalistikë të rregulluar.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një nismë për të minimizuar përdorimin e borisë nga mjetet e transportit publik me kushtin e përdorimit të borisë elektronike dhe jo asaj me ajër për të gjitha kompanitë e transportit publik.

Ndoshta do të ishte e udhës që një nismë e tillë të ndiqej edhe nga bashkitë e tjera në vend për të kontribuar sadopak e Brenda kufijve e detyrimeve ligjore për të reduktuar ndotjen akustike.

Shkruaj nje koment