Ndryshime në Kodin Rrugor/ Balla: Të zgjatet vlefshmëria e patentës, kufizim të shpejtësisë për shoferët e rinj

0
106

 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla prezantoi nismën për tre ndryshime në Kodin Rrugor, që siç tha ai, “vjen nga nevoja për të përshtatur legjislacionin e Kodit Rrugor Shqiptar me legjislacionin e vendeve anëtare të BE-së”.

Balla tha se, ndryshimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e vlefshmërisë së lejedrejtimit nga 10 në 15 vite.

“Ndihmojmë qytetarin, ulim burokracitë, minimizojmë shkuarjen në sportele, kursejmë kohë kosto”, tha ai.

Balla bëri të ditur se nga përllogaritjet, efektet e pritshme të kësaj nisme janë se, qytetarët kursejnë 9.7 milionë dollarë në një vit. Nga ulja e kohës së rinovimit lejeve të drejtimit të mjeteve përfitojnë 80 mijë qytetarë shqiptarë në vit.

Për drejtuesit e kategorive A dhe B deri në 50 vjeç, janë 54 mijë qytetarë përfitues, për ata mbi 50 vjeç janë 26 mijë qytetarë. Ndërsa përllogariten 93 mijë ditë punë të kursyera nga koha e harxhuar për marrjen e dokumenteve që kërkon rifreskimi i lejeve të drejtimit.

Ndryshimi i dytë tha Balla, ka të bëjë me kufizimin e shpejtësisë deri në 80 km/orë për të  patentuarit në moshë të re.

Për këtë ndryshim i jemi referuar Kodit Rrugor Italian. Besoj që në tre vitet e para duhet të ketë një kufizim të shpejtësisë me qëllim uljen e aksidenteve.

Ata kanë marrë këtë vendim për tre vitet e para dhe nga kjo lloj mase rezultoi të ishte një masë e duhur. Sot në Evropë aksidentet rrugore me të rinj nga 15 deri në 30 janë 25% e të gjitha aksidenteve rrugore. Me këto lloj kufizimesh pretendojmë të ulim aksidentet që vijnë nga të patentuari për herë të parë”.

Ai tha se ndryshimi i tretë ka të bëjë me rritja e moshës për mbajtjen e patentës.

Rritja e moshës për mbajtjen e patentës bëhet edhe për shkak të uljes së numrit të specialistëve për makineri të caktuara. Mendoj që spostimi nga 65 në 70 vjeç është i domosdoshëm. Këta lloj specialistësh mund të vijojnë ta bëjnë deri në moshën 70 vjeç, kjo sërish referuar eksperiencave më të mira evropiane. Kërkoi ndërgjegjësim e deputetëve që këto ndryshime t’i kalojmë brenda muajit korrik me qëllim që t’i vijmë në ndihmë të gjithë qytetarëve.

Shkruaj nje koment