Në burgun famëkeq të “7 Penxhereve”/Dritëza që vjen përtej errësirës është shpresa për të ardhmen!

0
243

<< Pak dritë aty ku drita mungon, pak jetë aty ku më nuk frymon!>>

Dritëza që vjen përtej errësirës është shpresa për të ardhmen!

Kush ka shkruar për “Kalanë e Argjiros”, në Gjirokastër e ka cilësuar gjithnjë si një kështjellë hijerëndë , stoike, e cila përballoi gjithë stuhitë e ardhura ndër shekuj, deri në ditët e sotme , duke i rezistuar kohës. Ajo është magjike, ajo është dëshmi e gjallë e historisë tonë , ajo është e heshtur , mbi të gjitha e mistershme. Kush ka jetuar , jeton apo njeh historinë e Gjirokastrës pa dyshim njeh dhe ” mallkimin” : Të pafsha tek 7 Penxheret!

7 Penxheret ” një turqizëm që do të thotë “7 dritaret”. Kështu u cilësua burgu famëkeq në kështjellën e Argjiros. Ndoshta një nga pjesët më të errëta , më të mistershme që mbart kjo e fundit. I përdorur nga tre regjime politike të ndryshme por me një element të përbashkët ” torturën” . Jo më kot ky burg është cilësuar si burgu i torturave më çnjerëzore. Që nga koha e Zogut, nga pushtuesit nazist e deri në kohën e komunizmit. Për vite me rradhë , nga kështjella vinin tingujt e vdekjes .Askush nuk i shikonte, nuk kishte kurrsesi guximin ta shikonin drejt e në sy vdekjen , të gjithë e dinin çfarë ndodhte brenda qelive të frikshme të “7 Penxhereve”. Vdekja qëndronte pezull në ajër , mbushte çdo hapësirë me frikë, vdekja kishte pushtet, atë pushtet ia kishte falur regjimi politik.

Edhe sot e kësaj dite , numri i të burgosurve të torturuar të dhunuar deri në frymën e fundit nuk dihet. Viktimat ishin të shumtë, trupat e tyre të pajetë thuhet se merreshin çdo ditë nga një hamall , i cili i hidhte në një gropë masive.

Sot ky burg është kthyer në muze që ka të skalitur me “gërma të zeza” ferrin e diktaturës. Emërtimet mund të ndryshojnë por jo ndjesitë. Si sot dhe atëherë kush shkel aty e ndjen si thërret historia. Janë klithmat e qindra jetëve që ende kërkojnë drejtësinë e munguar . Zërat e tyre thërrasin, çirren , bërtasin me të madhe atë çka kanë përjetuar . Në korridoret e ngushta të burgut nuk ka më xhelatë , por në errësirën e tyre ka mbetur hija e rëndë .Ajo që të ndalon për një çast frymëmarrjen , të shton rrahjet e zemrës ndërsa qindra e mijëra mendime të trazojnë kokën. Aty nuk ka më dyer të hekurta por ka heshtje të pllakosur frike . Aty nuk ka më të burgosur por ka shpirtra që thërrasin, hije. Në qelitë e “7 Penxhereve”, ka shkrime nga më të ndryshmet që rrëfejnë se në burg nuk shkonin vetëm burrat por edhe gratë.

“I ranë flokët dhe vetullat.Shokët e tij nëpër qelitë e tjera po vdisnin.Por ai qëndroi.Shpesh këtu në qeli kumbonte marshi i revolucjonit që e këndonte vetë Mustafai. Mustafai dhe sytë i drejtonte nga dritarja, nga e cila shihte një copëz qiell , një tufë rrezesh drite …Ajo tufë rrezesh që hynte këtu i jepte gjallëri…”

Në burgun e “7 Penxhereve”, ndonëse sot është shpallur muze , lagështia, muret e degraduar, aroma e mykut dhe pluhuri i harresës mbetet prezent. Për shkak të historisë që mbart ky muze , ka shfaqur interes tek shumë turistë por në këtë gjendje që ndodhet vizitat në të janë të shkurtra. Ajo që të vret sytë është kur mbërrin para busteve të dy heroinave siç ishin Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima , të cilat janë lënë diku të veçuara , të harruara.

“Zoti qoftë me ju!”

Burgu i “7 Penxhereve” është akoma në këmbë por për ata qindra të persekutuar, viktima të sistemit nuk dihet ende çfarë janë bërë . E ndërsa koha ikën misteri ende qëndron . A do arrijë ndonjëherë koha të rrëfejë të vërtetën ? Historia vazhdon…

Shkruaj nje koment